Një 24-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi i vodhi, me dhunë një shumë parash, një taksisti me të cilin po udhëtonte në Tiranë.
Forcat “Shqiponja”, pas marrjes së njoftimit se rreth orës 04:00 të mëngjesit, në Rrugën e Kavajës, një shtetas i kishte vjedhur me dhunë një shumë parash, goditur me mjet prerës, taksistin me të cilin udhëtonte, dhe më pas ishte larguar, kanë nisur punën për kapjen e autorit të dyshuar.
Si rezultat i ndjekjes, në rrugën “Sandër Prosi”, është kapur nga forcat “Shqiponja”, shtetasi G. M., 24 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas, orët e para të ditës së djeshme, ka hipur në një taksi në rrugën “Ibrahim Rugova”, dhe gjatë udhëtimit, ka goditur me mjet prerës shoferin e taksisë, shtetasin M. K., 57 vjeç, duke i vjedhur atij një shumë parash, dhe më pas është larguar.
Si pasojë 57-vjeçari është dëmtuar dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasit G. M., dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.