Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka në një prononcim për mediat foli rreth asaj çfarë është diskutuar në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, e cila u zhvillua në Kryesinë e Kuvendit.
Noka është shprehur se çështja e bashkimit të opozitës është një çështje e mbyllur tanimë dhe se kryefjalë e takimit të sotëm është përshkallëzimi dhe intensifikimi i aksionit të tyre.
“Këta s’kanë turp e frikë të maskohen, por dalin ashiqare se janë vegla të partisë dhe regjimit. Siç e dini ka një vendim të KLGJ-së që miraton kodin e Etikës. Po e reklamojnë si vlerë të shtuar të tyre angazhimin politik. Ky është pushteti, regjimi dhe drejtësia e re është vegël. Në bazë të Kodit të Etikës, kush e ka firmosur këtë duhet të hetojnë dhe marrin masa. Të tërë janë trup politike.
Në çdo mbledhje ne diskutojmë aksionin tonë, çështja e bashkimit është e mbyllur, nuk diskutohet më si çështje. Ne vijojmë fazën e fundit që do jetë fuzioni i plotë i partisë. Aksioni ka nisur ashtu siç e kemi thënë. Shqiptarët e kanë një Parlament real dhe ai është te Rruga e ‘Shpresës’.
U diskutua sesi duhet ta përshkallëzojmë këtë aksion, në terren jo vetëm në Kuvend. Strategjia e deputetëve të opozitës ishte si të gjejmë forma si ta intensifikojë aksionin tonë në bazë, asnjë zë kundër nuk është. Opozita do t’i kundërpërgjigjet”, u shpreh Noka.