SPAK refuzoi të pranonte kërkesën e Sali Berishës për të marrë pjesë në seancat e Kuvendit, pasi prej 30 dhjetorit të vitit të shkuar ndodhet në “arrest shtëpie”.
Në vendimin 4 faqesh të arsyetuar të prokurorisë së Posaçme firmosur nga kreu Altin Dumani dhe dy prokurorët e dosjes, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai shkruhet se për kohëzgjatjen e arrestit në shtëpi vlejnë rregullat e caktuara për paraburgimin, dhe referuar ashpërsisë që mbart kjo masë, ajo gjen përputhje në disa elementë, me masën më ekstreme, që është “arresti në burg”
“Ndodhur në këto kushte, edhe e drejta për të ushtruar profesionin, apo qoftë edhe mandatin e fituar nga zgjedhjet për në Kuvend, duhet të konsiderohet si e papajtueshme me zbatimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ashtu siç është e papajtueshme edhe për çdo qytetar tjetër që i nënshtrohet kësaj mase, e drejta për të shkuar në punë.”
Ndër të tjera SPAK kujton se nëse Berisha do të ishte në masën “detyrim me paraqitje” siç ishte para 30 dhjetorit, do të mund të ishte në kuvend.
‘Në rastin e masave të tjera shtrënguese, siç është detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, konstatohet se e drejta për të ushtruar profesionin, është në përputhje me llojin e masës, pasi personi nuk detyrohet të qëndrojë në banesën e tij”
Pjesë nga arsyetimi
Në rastin konkret, Gjykata me vendimin e sipërcituar, ka disponuar “… Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga “Mustafa Matohiti”, Ndërtesa 36, hyrja 1, Nd 036, Njësia Administrative nr. 2 Tiranë, si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të…”.
Në vijim, neni 237 i K.Pr.Penale, në pikën 4 të tij, parashikon se për kohëzgjatjen e arrestit në shtëpi vlejnë rregullat e caktuara për paraburgimin dhe në pikën 5 sanksionon se koha e qëndrimit në arrest në shtëpi llogaritet në caktimin e dënimit. Pra, referuar ashpërsisë që mbart kjo masë, ajo gjen përputhje në disa elementë, me masën më ekstreme, që është “arresti në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
Ndodhur në këto kushte, edhe e drejta për të ushtruar profesionin, apo qoftë edhe mandatin e fituar nga zgjedhjet për në Kuvend, duhet të konsiderohet si e papajtueshme me zbatimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ashtu siç është e papajtueshme edhe për çdo qytetar tjetër që i nënshtrohet kësaj mase, e drejta për të shkuar në punë.
Në rastin e masave të tjera shtrënguese, siç është detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, konstatohet se e drejta për të ushtruar profesionin, është në përputhje me llojin e masës, pasi personi nuk detyrohet të qëndrojë në banesën e tij.
Lloji i masës shtrënguese, vendoset nga gjykata, duke mbajtur parasysh kushtet dhe kriteret që kërkohen për caktimin e tyre apo respektimi i detyrimeve të tjera që lidhen me një masë sigurimi. Aplikimi i masës së sigurimit të arrestit në shtëpi, do të thotë se nevojat për sigurim dhe mbarëvajtje të procesit penal, nevojat për të cilat është vlerësuar të vendoset kjo masë, janë më të mëdha e më të domosdoshme, se sa ato të vërtetuara nga llojet e tjera të masave të sigurimit personal.
Ndodhur në këto kushte, nevojat që ka vlerësuar gjykata, mbi bazë të të cilave ka çmuar caktimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, duhet të mbizotërojnë, në raport me tagrin e deputetit ndaj të cilit zhvillohen hetime, për të marrë pjesën në punimet e Kuvendit.