Zyra e Prokurorisë Themelore në Beograd tha se me dëshmitë e mbledhura deri më tani nuk ka tregues se ka prova bindëse dhe të qarta se opozitari serb, Nikolla Sandulloviç, është keqtrajtuar.
Zyra e Prokurorit tha se për shkak të informacioneve të publikuara në media të caktuara lidhur me keqtrajtimin e supozuar të Sandulloviçit më 3 janar nga anëtarët e Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), ky institucion nisi mbledhjen e provave.
“Veç tjerash, nga informacionet e Akademisë Mjekësore Ushtarake – të Klinikës së Neurologjisë, që janë të 4 janarit, shihet qartë se mjekët nuk kanë konstatuar lëndime fizike”, u tha në njoftim.
Një ditë më herët, BIA hodhi poshtë pretendimet se udhëheqësi i subjektit opozitar, Nikolla Sandulloviç, ishte subjekt i torturës, duke thënë se nuk ka pasur përdorim të forcës së paligjshme fizike ndaj tij.
Më herët, Zyra e Prokurorit në Nish konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Sandulloviq ndodhet në paraburgim që nga java e kaluar, nën dyshimet “se ka kryer vepër penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”.
Më 2 janar, Sandulloviq publikoi një video në X – që më herët njihej si Twitter – ku ai shfaqej në kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz duke vendosur kurorë me lule në monumentin që përkujton ngjarjet e 5, 6 dhe 7 marsit 1998, kur forcat serbe vranë mbi 50 anëtarë të familjes së Adem Jasharit, një nga themeluesit e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Një ditë pas publikimit të videos në rrjetin X, avokati Çedomir Stojkoviq bëri të ditur se Sandulloviqi është arrestuar më 3 janar dhe se familja e tij nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij.
Ish-shefi i BIA-s, Aleksandar Vulin, deklaroi më 6 janar se Sandulloviç u arrestua me urdhër të tij, urdhër që sipas tij është në fuqi edhe pas dorëheqjes së tij.
Vulin tha për mediat serbe se Sandulloviq u arrestua për shkak se vendosi kurora lulesh në Prekaz.
Sandulloviq është president i Partisë Republikane që u themelua më 2015, por që nuk e ka kaluar pragun zgjedhor për t’u futur në Parlamentin serb.
Ai ka një biografi kundërthënëse, ku përfshihet edhe plagosja e tij nga shpërthimi i një makine 13 vjet më parë, dhe arrestimi i tij për “përhapje paniku” më 2020 gjatë pandemisë së koronavirusit.
Më 11 janar, the Guardian, tha se familja e Sandulloviqit, që pretendon se ai është rrahur nga policia sekrete serbe gjatë qëndrimit në paraburgim, ka thënë se ai ishte pjesërisht i paralizuar si rezultat i sulmit.
Ndërkaq, institucionet e Bashkimit Evropian konfirmuan më 9 janar se po monitorojnë situatën dhe informacionet lidhur me arrestimin e Sandulloviqit./REL