Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Begaj me trupin diplomatik: Anëtarësimi në BE, çështje e interesit kombëtar

2024/01/10 at 8:22 PM
në Politikë, Te Fundit
Kohë leximi: 8 min
A A
Begaj me trupin diplomatik: Anëtarësimi në BE, çështje e interesit kombëtar

Presidenti Bajram Begaj zhvilloi mbrëmjen e sotme pritjen me përfaqësuesit e trupit diplomatik në Shqipëri.


Kreu i Shtetit në fjalimin e tij u fokusua në arritjet e vitit që lamë pas, te sfidat e Shqipërisë, ato rajonale dhe globale përgjatë vitit 2024, ndërsa ndau me të pranishmit vizionin për përballimin me përgjegjshmëri të këtyre sfidave në funksion të zgjidhjeve afatgjata dhe të qëndrueshme.

Begaj bëri thirrje për bashkëpunim e dialog për paqen, sigurinë dhe shpresën për një të ardhme më të mirë duke e cilësuar diplomacinë jo si opsion, por domosdoshmëri.

Presidenti Begaj konfirmoi qëndrimin se Shqipëria do të vijojë të ketë politikë të jashtme dhe të sigurisë të linjëzuar me Bashkimin Evropian dhe SHBA, si dhe do të angazhohet në forcimin e multilateralizmit dhe të bashkëpunimit rajonal.

Kreu i shtetit theksoi rëndësinë e mbështetjes së Ballkanit Perëndimor nga Bashkimi Evropian përmes krijimit të mekanizmave që mundësojnë jo vetëm linjëzim politik, por edhe përparim ekonomik dhe lehtësira për jetën e përditshme të qytetarëve.

“Për shqiptarët në rajon, anëtarësimi në BE është çështje e interesit kombëtar” deklaroi Presidenti Begaj duke shtuar se  faktori shqiptar ka kontribuar dhe do të vijojë të kontribuojë në paqen dhe sigurinë e rajonit.

Për Kosovën, Presidenti Begaj, bëri thirrje për njohjen ndërkombëtare nga ato shtete që nuk e kanë ndërmarrë këtë akt dhe dhëniën fund të status-quo-së në mënyrë që të shmangen situata si sulmi i shtatorit 2023 në Banjskë që mund të sjellin  pasoja të rënda për rajonin dhe Evropën. Ai përsheëndeti liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe përsëriti qëndrimin për integrimin e saj euro-atlantik.

“Zgjidhja e mosmarrëveshjeve Kosovë- Serbi nuk është vetëm një çështje politike, por është një çështje sigurie për rajonin dhe të Europën”, deklaroi Presidenti Begaj.

Për përshpejtimin e procesit integrues të Shqipërisë në BE, Presidenti theksoi domodoshmërinë e thellimit të reformave dhe nxitjen e zhvillimit social-ekonomik që u shërbejnë shqiptarëve dhe çeljes së kapitujve për anëtarësim në Union si dhe konsolidimit të  besimit të aleatëve me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidenti theksoi  angazhimin për reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies nga institucionet publike, si dhe përpjekjet për drejtësi sociale.

Një falenderim të posaçëm Presidenti Begaj u përcolli përfaqësuesve të trupit diplomatik në Tiranë për ndihmën dhe kontributin e dhënë që Shqipëria të konsolidojë demokracinë, shtetin e së drejtës dhe të përballojë sfidat ekonomike dhe sociale.

Gjatë kësaj fjale, Presidenti i Republikës rikonfirmoi qëndrimin se Shqipëria mbështet Ukrainën për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit. Për konfliktin Izrael-Hamas, Shqipëria -deklaroi Presidenti Begaj, mbështet zgjidhjen e konfliktit dhe nisjen e bisedimeve për gjetjen e zgjidhjes me dy shtete, në paqe dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Ai u shpreh gjithashtu se ”krizat dhe kërcënimet gjejnë shprehje në zvarritjen, dhe shesh në dështimin e dialogut, në sulmin ndaj parimeve demokratike të qeverisjes dhe në krijimin e ligjërimeve dhe veprimeve diametralisht të kundërta e se përballja me këto sfida dhe kërcënime kërkon që të jemi të bashkuar në një aleancë për mbrojtjen e paqes dhe të vlerave demokratike.

“Kjo aleancë vlerash duhet të jetë e hapur, jo e mbyllur; përfshirëse e jo përjashtuese, ku diversiteti kulturor, fetar dhe etnik konsiderohet pasuri dhe jo mangësi “, deklari Presidenti i Shqipërisë.

FJALA E PRESIDENTIT BEGAJ ME RASTIN E PRITJES SË TRUPIT DIPLOMATIK NË SHQIPËRI

10 Janar 2024, Pallati Brigadave

“Zoti Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme,

Shkëlqesi Ambasadorë,

Zonja e zotërinj,

Mirëmbrëma dhe mirë se keni ardhur në këtë takim të parë të vitit të ri!

Për mua ky takim është i një rëndësie të veçantë, sepse është mundësi e mirë të ndajmë bashkë jo vetëm rezultatet e vitit që shkoi, por edhe sfidat dhe shpresat për vitin që sapo ka filluar.

Sfidat dhe shpresat janë sa globale, edhe rajonale, dhe sa më të ndërgjegjshëm të jemi për kompleksitetin e tyre, aq më shumë do të jemi të përgjegjshëm për të gjetur zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme.

Po përballemi me kriza dhe kërcënime. Ato janë të shumëllojshme për nga natyra dhe shpesh të ndërthurura ngushtë me njëra-tjetrën.

Këto kriza dhe kërcënime gjejnë shprehje në zvarritjen, dhe shpesh në dështimin e dialogut, në sulmin ndaj parimeve demokratike të qeverisjes dhe në krijimin e ligjërimeve dhe veprimeve diametralisht të kundërta.

Agresioni rus ndaj një vendi sovran si Ukraina vazhdon. Populli dhe qeveria ukrainase janë heronjtë e përditshëm të një qëndrese në emër të sovranitetit dhe dinjitetit njërëzor.

Shqipëria e mbështet Ukrainën në luftën e saj për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit.

Sulmi terrorist i Hamasit kundër Izraelit e rindezi konfliktin, duke përkeqësuar situatën e sigurisë në Lindjen e Mesme.

Mbështesim zgjidhjen e konfliktit dhe nisjen e bisedimeve për gjetjen e zgjidhjes me dy shtete, në paqe dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Po ashtu edhe rajoni ynë nuk ka qenë imun ndaj kërcënimit prej krizave reale. Akti terrorist i shtatorit 2023 në Banjskë dhe ngjarje të tjera të ndodhura në Kosovë janë shenja të një status-quo-je të brishtë dhe të një situate që mund të sillte pasoja të rënda për rajonin dhe Europën. Fatmirësisht, nuk pati përshkallëzime.

Mbështetja e BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare për kryerjen e hetimeve të thelluara për identifikimin dhe dënimin e nxitësve dhe të autorëve është e domosdoshme. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi nuk është vetëm një çështje politike, por edhe një çështje sigurie për rajonin dhe Europën.

Situata në Bosnje-Hercegovinë është delikate dhe kërkon vëmendje, pasi ka ende aktorë politikë, të cilët nuk janë shkëputur nga e kaluara konfliktuale.

Këtyre situatave u shtohen dhe zhvillimet dramatike në vende të tjera. Rreziqet dhe kërcënimet potenciale të lidhura me: ekstremizmin e dhunshëm, emigracionin e paligjshem, kriza ekonomike, kriza ushqimore, kriza energjetike, sfidat e sulmeve kibernetike, kontrollin e inteligjencës artificiale, pasojat e pandemisë dhe ndryshimet klimatike janë çështje që duhen përballuar e për të cilat duhet angazhim dhe zgjidhje.

Përballja me këto sfida dhe kërcënime kërkon të jemi të bashkuar në një aleancë për mbrojtjen e paqes dhe të vlerave demokratike.

Kjo aleancë vlerash duhet të jetë e hapur, jo e mbyllur; përfshirëse, dhe jo përjashtuese, ku diversiteti kulturor, fetar dhe etnik konsiderohet pasuri dhe jo mangësi.

Zonja dhe zotërinj,

vitin e shkuar pata kënaqësinë të vizitoj dhe të pres kryetarë dhe përfaqësues të lartë të shteteve dhe organizatave të ndryshme. Çdo takim ka patur veçantinë e tij, por e përbashkëta e tyre ishte dakordësia për respektimin e vlerave universale.

Vitin e shkuar, Shqipëria dha një kontribut të rëndësishëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në NATO dhe institucione të tjera ndërkombëtare.

Ne do të mbetemi të angazhuar dhe të përkushtuar edhe në ushtrimin e detyrave të tjera, si anëtar i Këshillit të të Drejtave të Njeriut dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s.

Shqipëria do të vijojë të ketë politikë të jashtme dhe të sigurisë të linjëzuara me Bashkimin Evropian dhe SHBA, si dhe do të angazhohet në forcimin e multilateralizmit dhe të bashkëpunimit rajonal.

Shqipëria gjithashtu do të vijojë të japë kontributin për paqe në rajon dhe më gjerë, sepse paqja është themeli i mirëqënies, sigurisë, zhvillimit të qëndrueshëm dhe respektit të ndërsjellë.

Angazhimi ynë në arenën ndërkombëtare do të vijojë paralelisht me të gjitha reformat e filluara në vend, në veçanti me reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies nga institucionet publike, si dhe përpjekjet tona për drejtësi sociale.

Thellimi i reformave dhe nxitja e zhvillimit social- ekonomik të vendit është para së gjithash për të mirën e qytetarëve tanë. Këto ndihmojnë gjithashtu edhe në çeljen e kapitujve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe për të konsoliduar besimin e aleatëve dhe të miqve tme në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjej rastin të falënderoj SHBA-në dhe vendet e Bashkimit Europian për bashkëpunimin dhe mbështetjen në ecurinë e procesit të integrimit dhe zhvillimin e reformave të gjithanshme që kemi ndërmarrë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE.

Ju falënderoj, shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të organizatave shumëpalëshe, për ndihmën dhe kontributin e dhënë që Shqipëria të konsolidojë demokracinë, shtetin e së drejtës dhe të përballojë sfidat ekonomike dhe sociale!

Falënderim dhe mirënjohje për promovimin e Shqipërisë, vlerave të saj historike, kulturore dhe bukurive natyrore, si dhe për bashkëpunimin e frytshëm në nxitjen dhe realizimin e projekteve të përbashkëta!

Zonja e zotërinj,

vitin e kaluar Shqipëria njohu zhvillime pozitive dhe të suksesshme në disa fusha, ndër të cilat mund të veçojmë turizmin, sportin dhe kulturën.

Jemi krenarë që po shpërblehet mundi dhe puna e çdo shqiptari të ndershëm, punëtor e atdhetar. Kontributi i tyre duhet të jetë frymëzues edhe për klasën politike, e cila ka mundësinë të ushtrojë dialogun politik dhe të bashkëpunojë në funksion të interesit të qytetarëve dhe interesit kombëtar.

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë,

Arritjet e vitit të shkuar do të pasurohen nga ngjarje të reja gjatë vitit 2024. Të tillë e quaj 10-vjetorin e Procesit të Berlinit, që shpresoj se do të gjejë një rajon më bashkëpunues dhe më pranë BE-së.

Shpreh bindjen se edhe Bashkimi Evropian do vijojë t’i kushtojë vëmendjen e duhur e të veçantë Ballkanit Perëndimor.

Është me rëndësi që rajoni të mbështetet dhe të krijohen mekanizmat që mundësojnë jo vetëm linjëzim politik, por edhe përparim ekonomik dhe lehtësira për jetën e përditshme të qytetarëve.

Për shqiptarët në rajon, anëtarësimi në BE është çështje e interesit kombëtar. Faktori shqiptar ka kontribuar dhe do të vijojë të kontribuojë për paqen dhe sigurinë e rajonit.

Shqipëria mbështet integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, si dhe integrimin e saj Euro-Atlantik. E përshëndes vendimin e BE-së për liberalizimin e vizave me qytetarët e Kosovës!

Për ambasadorët e vendeve të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën, dua të ripërsëris kërkesën ta njohin Republikën e Kosovës si një realitet të pakthyeshëm.

Gjej rastin të ritheksoj mbështetjen tonë që dialogu Kosovë -Serbi të jetë i hapur dhe të avancojë, të normalizojë marrëdheniet mes palëve dhe të çojë drejt njohjes reciproke.

Uroj që presidencat belge dhe hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian, si dhe presidenca malteze e OSBE-së, gjatë këtij viti t’i kushtojnë vëmëndjen e duhur rajonit të Ballkanit Perëndimor në funksion të mbizotërimit të frymës së bashkëpunimit dhe të dialogut.

Të nderuar të pranishëm,

Sot bota ka nevojë për më shumë diplomaci, bashkëpunim e dialog. Diplomacia nuk është opsion, është domosdoshmëri që lind nga nevoja për një botë të paqtë e të sigurt.

Unë besoj se paqja, bashkëpunimi dhe shpresa për një të ardhme më të mirë, duhet të jenë lajtmotivet tona gjatë këtij viti.

Me shpresën se paqja, siguria dhe bashkëpunimi do të jenë orientimi i komunitetit botëror në qasjen ndaj sfidave të reja, ju uroj vendeve, popujve dhe organizatave tuaja tuaj, një vit të mbarë e të begatë!

Të bashkëpunojmë intensivisht që sfidat t’i kthejmë në mundësi reale zhvillimi, mirëqenieje dhe solidariteti. Të përkushtohemi për një të ardhme ndryshimesh konkrete e shpresash që bëhen realitet, si mundësi frymëzimi për brezat e rinj.

Mbetem i gatshëm që këtë vit të vijojmë më intensivisht bashkëpunimin për të promovuar mesazhin e paqes, solidaritetit dhe shpresës.



Ju sugjerojmë

KAS pranon kërkesën e PS-së: Nuk do të ketë veçim të votave të Greqisë!
Aktualitet

KAS pranon kërkesën e PS-së: Nuk do të ketë veçim të votave të Greqisë!

13 Maj, 2025 2:49 pm
Merret peng 31-vjeçari, mbahet në makinë e dhunohet/ Policia arreston autorin
Kryesore

Merret peng 31-vjeçari, mbahet në makinë e dhunohet/ Policia arreston autorin

13 Maj, 2025 2:41 pm
Partia ‘Mundësia’ denoncon: Po i shpallin të pavlefshme fletët e votimit nga ngjyra!
Aktualitet

Partia ‘Mundësia’ denoncon: Po i shpallin të pavlefshme fletët e votimit nga ngjyra!

13 Maj, 2025 2:34 pm
“Vërshuan nga ajri, toka e deti për të votuar”/Berisha:Mirënjohje mijëra shqiptarëve
Kryesore

A do të japë dorëheqjen? Kreu i PD, Berisha: Statuti do të respektohet, por..

13 Maj, 2025 2:26 pm
Protesta në ditën e samitit/Berisha: Miqtë që vijnë, të dëgjojnë zërin e popullit
Aktualitet

Protesta në ditën e samitit/Berisha: Miqtë që vijnë, të dëgjojnë zërin e popullit

13 Maj, 2025 2:14 pm
Tirana pret Samitin e Komunitetit Politik Europian/ Berisha: Në protestë më 16 maj!
Aktualitet

Tirana pret Samitin e Komunitetit Politik Europian/ Berisha: Në protestë më 16 maj!

13 Maj, 2025 2:03 pm
“Rama firmosi 100 euro një votë”/Berisha: PS, zyra ilegale pranë qendrave të votimit
Kryesore

Zgjedhjet e 11 majit, Berisha: Më të grabitura në histori, u diktuan nga krimi

13 Maj, 2025 1:57 pm
Samiti Europian në Tiranë më 15-16 maj/Policia njofton: Ja rrugët që do të bllokohen
Aktualitet

Samiti Europian në Tiranë më 15-16 maj/Policia njofton: Ja rrugët që do të bllokohen

13 Maj, 2025 1:56 pm
Hodhën sende të forta gjatë ndeshjes Partizani-Elbasani, policia procedon 3 të rinj
Aktualitet

Tiranë/ Përplasen vëzhguesit gjatë numërimit të votave në një KZAZ, ndërhyn policia

13 Maj, 2025 1:40 pm
Dalin rezultatet e para të votave preferenciale në Mirditë, kryeson ish-gjyqtari
Aktualitet

Dalin rezultatet e para të votave preferenciale në Mirditë, kryeson ish-gjyqtari

13 Maj, 2025 1:31 pm
Para
Sulmoi gjyqtaren dhe e përplasi për muri, agresori në SHBA dënohet me 4 vite burg

Sulmoi gjyqtaren dhe e përplasi për muri, agresori në SHBA dënohet me 4 vite burg

1.8 milionë Euro investim për ujësjellësin e fshatit të Himarës, por banorët mbushin ujë në lumë

1.8 milionë Euro investim për ujësjellësin e fshatit të Himarës, por banorët mbushin ujë në lumë

Skandali në Sarandë, humbi zgjedhjet dhe të nesërmen dha leje ndërtimi në shkelje të ligjit

Skandali në Sarandë, humbi zgjedhjet dhe të nesërmen dha leje ndërtimi në shkelje të ligjit
















TE FUNDIT

KAS pranon kërkesën e PS-së: Nuk do të ketë veçim të votave të Greqisë!

KAS pranon kërkesën e PS-së: Nuk do të ketë veçim të votave të Greqisë!
13 Maj, 2025

Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve në KQZ ka pranuar kërkesën e PS, duke vendosur kështu mosveçimin e votave të diasporës nga...

Lexo më shumë

Merret peng 31-vjeçari, mbahet në makinë e dhunohet/ Policia arreston autorin

Merret peng 31-vjeçari, mbahet në makinë e dhunohet/ Policia arreston autorin
13 Maj, 2025

Një 31-vjeçar në Tiranë është marrë peng për disa orë në një makinë dhe është dhunuar. Si rezultat i veprimeve...

Lexo më shumë

Partia ‘Mundësia’ denoncon: Po i shpallin të pavlefshme fletët e votimit nga ngjyra!

Partia ‘Mundësia’ denoncon: Po i shpallin të pavlefshme fletët e votimit nga ngjyra!
13 Maj, 2025

Një denoncim është raportuar ditën e sotme nga partia "Mundësia". Përmes një njoftimi, thuhet se në KZAZ 40, në Shkollën...

Lexo më shumë

A do të japë dorëheqjen? Kreu i PD, Berisha: Statuti do të respektohet, por..

“Vërshuan nga ajri, toka e deti për të votuar”/Berisha:Mirënjohje mijëra shqiptarëve
13 Maj, 2025

Kryetari i Partisë Demokratike deklaroi se statuti i partisë për dorëheqjen e kryetarit në rast të humbjes së zgjedhjeve, do...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com