“Në kuadër të ligjit ‘Për tatimin mbi të ardhurat’ është hartuar edhe udhëzimi i ri, lidhur me taksimin e kalimit të pronësisë, ku kemi gjetur me vend të vendosim një rregull të ri, në bazë të të cilit çmimet e referencës do të amortizohen me 1% në vit në varësi të moshës së ndërtesës. Gjatë këtij viti, do të ketë një rishikim të çmimeve të referencës edhe në bregdet, me ndarje zonash të caktuara, që do të reflektojnë rritjen e çmimeve në këto zona”, deklaroi më datë 5 Janar, Ministri i Financave Ervin Mete.
Për ekspertët e pasurive të patundshme taksa e re e cila përfshin edhe amortizimin në bazë të vjetërsisë së godinës, ndikon pozitivisht në rregullimin e çmimeve në shit-blerjen e pronave, duke i sjellë ato më afër realitetit.
“Rishikimi i këtyre çmimeve në bazë të amortizimit është mëse i vlefshëm. Por edhe këtu duhet pasur kujdes sidomos për ndërtimet që janë bërë pas vitit 1990. Një pjesë e tyre janë regjistruar me vonesë dhe një pjesë ndoshta nuk janë regjistruar fare”.
Një nismë e tillë pritet të ndikojë edhe çmimet e pronave në bregdet, për të cilat ekspertët parashikojnë që krahas rregullimit të çmimeve të ketë edhe një shtrenjtim të pronave.
“Në zonën e Gjirit të Lalëzit shkojnë, për komplekset e reja, nga 1800 deri në 2500 euro metri katror. Në Orikum dhe Radhimë, shkojnë 1500-2000 euro metri katror. Në Vlorë gjen buzë detit edhe me 2500 euro. Rishikimi i tyre do të bëjë që të shkojnë aty ku duhet, sipas asaj që kërkohet”.
Udhëzimi i ri lidhur me taksimin e kalimit të pronësisë është ende në fazë diskutimi, ndërkohë që pritet të implementohet në vitin 2025-2026./Tvklan