Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot për masën e vendosur ndaj Berishës duke thënë se nuk është fitorja e një partie arrestimi i dikujt të cilësdo parti.
Ai tha se nuk e sheh si fitore të askujt, por si diçka që vihet nën trysninë dhe pastaj nën masat e drejtësisë.
“Kurrë nuk është fitorja e një partie arrestimi i dikujt të cilësdo parti. Kjo është në parim. Partitë fitojnë zgjedhje për të çuar para vendin dhe partitë nuk janë organizata luftarake që funksionojnë për të eliminuar kundërshtarët në një mënyrë apo një tjetër. Nuk e shoh si një fitore të PS-së apo edhe si një fitore të Erionit apo Taulantit që kanë bërë një pasion që uroj ta kishin të gjithë në detyrën e tyre. Kjo është diçka që nuk ka lidhje fare me dëshirën, objektivin, nevojën për të parë si fitore faktin që cilidoqoftë vihet nën trysninë dhe pastaj nën masat e drejtësisë.
Gjatë fjalës së tij në konferencë me gazetarët, kryeministri Rama ka deklaruar se kurrë nuk do të ketë drejtësi në Shqipëri pa u gjykuar 21 Janari dhe urdhëruesit e vrasjeve.
”Ashtu sikundër dhe nuk rri dot pa e thënë, nuk do të ketë drejtësi në Shqipëri deri të gjykohet 21 Janari. Pa u gjykuar 21 Janari dhe pa u vënë para drejtësisë vrasësist dhe urdhëruesit e tyre që janë vrasësit e 21 Janarit, drejtësia do të jetë e gjymtuar dhe e pamjaftueshme. Gjykimi i 21 Janarit do të vendosë një gur të palëvizshëm për deri ku mund të shkojë apo ku nuk mund të shkojë ushtrimi i forcës represive të shtetit si rezultat i abuzimit me të nga persona të veshur me pushtet”, u shpreh Rama.