Gjergj Luca ka rrëfyer për emisionin “Opinion” se si i hyri biznesit të peshkimit. Ai tregoi se ka qenë rastësi teksa kishte shkuar për të pushuar me një grup shokësh në Shëngjin për disa ditë.
E që nga ai moment, Luca vijoi me ngritjen e kompanisë së peshkimit “Rozafa”.
Dhe ky emër ka një kuptim. Ai tregoi se është emri i motrës së tij, e cila ka qenë larg tij e i ka munguar shumë.
Gjergj Luca: Rastësisht me një mikun tim që ju e njihni e kam pasur koleg në televizion, me Mondin, Mond Lakon, ikim në Shëngjin në ishull, në Kune dhe thamë do rrimë 10 ditë në çadër. Në ’92. Një grup që do kalonim 10 ditë. Marrim me vete ftere, voj, verë dhe ca grepa, ca gjëra. Unë isha amator (peshkatar). Tani unë gjatë gjithë kohës nuk gëzova asgjë, vetëm rrija duke gjuajtur. Një miku im, trajner çiklizmi kishte një motor të vogël dhe më thotë ka ardhur një firmë peshku në Patok. Edhe më thotë gjithë ky peshk i bardhë, ça do bëjmë. I thashë shko shihe a i merr. Vjen dhe më thotë Lucë hajde një herë këtu. Më thotë, ore unë shita peshkun. Po shumë mirë bëre, sa lekë more? Dhe fut dorën në xhep më nxjerr 1 milion e 400 mijë Lireta. I them unë ça janë këto? Lekët e peshkut. Si lekët e peshkut? Po 1 milionë e 400 mijë lireta në atë kohë ishin pasuri. E lashë qejfin dhe historinë me këta. Fillova duke gjuajtur 10 ditë dhe kthehem në Tiranë me nja 3 milionë Lireta. Kthehem filloj tregtinë e makinave dhe në Shëngjin bëj një varkë 5 metra. Dhe tek Rana e Hedhun ngre një çadër dhe çoj varkën e parë. Pastaj çoj edhe varkën e dytë dhe në darkë gjuanim. U fusja nga hidrovori i Velipojës, ngarkoja peshkun dhe kishin filluar restorantet e para në Tiranë.
Blendi Fevziu: Dhe kështu nise me “Rozafën”? Po pse ia vure emrin Rozafa?
Gjergj Luca: E vetmja gjë më e dashur e jetës sime është motra ime. Është emri i motrës sime dhe filloi me atë lloj… Motra ka qenë në Francë, në kohë të Enverit ka studiuar. Pastaj iku në Amerikë, është mjeke, është e zonja dhe më ka munguar gjithë jetën, e kam pasur larg. Edhe unë laj, thaj atë motër kam. I vura emrin e motrës dhe me atë firmë që kam hapur në ‘92 dhe sot e asaj dite me atë vijoj.