Zjarrfikësit vijojnë përpjekjet për shuarjen e zjarrit që përfshiu qendrën tregtare në Lushnje, i cili po përhapet me shpejtësi.
Për shkak të zjarri, 35 persona janë transportuar në spital për shkak se janë asfiksuar nga tymi.
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka vizituar qytetarët, duke thënë se ata janë jashtë rrezikut për jetën dhe se po marrin trajtim mjekësor.
“Sapo kemi vizituar të gjithë qytetarët që iu drejtuan spitalit në Lushnje. Janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën falë një pune të ekipit të mjekëve. Çdo gjë është nën kontroll, gjendja paraqitet e qetë, qytetarët kanë marrë mjekimet e nevojshme dhe për momentin nuk kanë asnjë shqetësim. Përpara se të vija në spital kam qenë edhe pranë qendrës tregtare. Situata është nën kontroll. Janë evakuuar të gjithë banorët dhe janë forcat e RENEA-s që po kontrollojnë kat më kat. Nga informacionet që kam, të gjithë janë të evakuuar dhe policia e zjarrfikëset janë aty për të vënë situatën nën kontroll.”, tha ministrja.