Pas vëzhgimit në disa spitale e qendra spitalore në vend, emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan është ndalur në Spitalin e Traumës për të parë sesi menaxhohen mbetjet spitalore.
Për habi, në kazanët e mbeturinave dhe jashtë tyre u gjetën shiringa, age të mprehta, sende plastike spitalore. E njëjta situatë edhe pranë depos së magazinimit të përkohshëm, si dhe në ambiente të tjera.
Gjatë vëzhgimit, drejtoresha e Spitalit të Traumës Edlira Bode, u njoftua për prezencën e “Stopit” dhe doli menjëherë për të thënë se nuk merret ajo me këtë gjë, por do të interesohet dhe do të ketë masa për përgjegjësit.
Gazetari: Unë do të të tregoj aget, serumet, shishet e qelqit dhe më thoni se çfarë janë këto dhe a janë të prodhuara nga ju?
Drejtoresha: Unë nuk jam personi i duhur për të verifikuar age, serume, shishe qelqi. Ka persona përgjegjës për këtë punë.
Gazetari: Megjithatë, ju u vutë në dijeni për atë që kemi konstatuar ne.
Drejtoresha: U vura në dijeni që po ndodh diçka, që ka njerëz që po filmojnë dhe erdha të kuptoj se çfarë po ndodh. Më konfirmon personeli im që ka një kontenjer të mbetjeve spitalore të rrezikshme të mbyllur dhe që dorëzimi i mbetjeve bëhet mje një procedurë të caktuar, të shkruar. Unë kam persona përgjegjës që verifikojnë zbatimin e kësja procedure.
Gazetari: Çfarë ju kushton të vini deri aty për të parë se çfarë kemi konstatuar?
Drejtoresha: E shikoj unë apo jo, nuk ndryshon ndonjë gjë. E shikojnë personat përgjegjës. Respektoj çdo konstatim tuajin dhe do të marr çdo masë të nevojshme që duhet të marr si titullar institucioni në rast se ka… Do verifikohet çdo gjë e patjetër që do të marr masa.
Gazetari i “Stop” ka njoftuar Komisariatin Numër 3, i cili solli grupin e policisë dhe OPGJ-në, të cilët bënë verifikimin dhe dokumentuan provat.
Zyrtarisht, policia bën me dije se në lidhje me rastin në fjalë, ka nisur procedim për dy shtetase për këtë rast dhe materiali i ka kaluar prokurorisë.
“Pas marrjes së njoftimit nga emisioni investigativ “Stop” se në disa kosha për mbeturina në territorin e Spitalit të Traumës ishin hedhur mbetje spitalore në kundërshtim me ligjin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë nr.3, kryen të gjitha veprimet proceduralo-hetimore dhe në përfundim të tyre referuan materialet në prokurori, ku nisi procedim penal për shtetasit: F.K. 55 vjeçe dhe D.B. 61 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë për veprën “menaxhim i mbetjeve”
Gazetari i “Stop” njoftoi gjithashtu edhe Inspektoratin Shëndetësor Tiranë për situatën skandaloze në Spitalin e Traumës në Tiranë. Pas verifikimeve, Spitali i Traumës u gjobit me 10 milionë Lekë të vjetra gjobë./tvklan.al