Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të mërkurën se ruajtja e një mjedisi paqësor dhe të sigurt në Kosovë është çelësi për stabilitetin e rajonit më të gjerë të Ballkanit Perëndimor.
Në një fjalim për fundvit të publikuar në rrjetin social X, shefi i aleancës ushtarake tha se tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten.
“Po jetojmë në një botë më të rrezikshme. Është një luftë e plotë në Evropë dhe një luftë e re në Lindjen e Mesme. Tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten. Vazhdon të ketë terrorizëm brutal dhe ndryshimi klimatik po i nxit konfliktet. Nuk mund të ketë siguri pa mbrojtje të forta. Dhe, nuk ka mbrojtje të forta pa ushtri të afta”, tha Stoltenberg.
Këtë vit, NATO-ja dërgoi qindra forca shtesë në misionin e saj paqeruajtës në Kosovë – KFOR – pas trazirave që shkaktoi vendosja e kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku u plagosën dhjetëra ushtarë të KFOR-it gjatë protestave të serbëve lokalë që i kishin bojkotuar zgjedhjet lokale të prillit – si dhe pas incidentit në Banjskë në shtator, ku grupe të armatosura serbësh e sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një polic.
Misioni ushtarak i aleancës sot numëron mbi 4.600 trupa në Kosovë.
”Në këtë periudhë të vitit, falënderimet dhe respekti im më i thellë shkon për forcat tona të NATO-s. Pa ju nuk do të kishte NATO, nuk do të kishte siguri dhe nuk do të kishte liri. Shërbimi i tyre na mban pa rreziqe, të sigurt dhe të lirë”, tha ai.
Ngjarja e 24 shtatorit në Banjskë është cilësuar si më e rënda që nga koha kur Kosova ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe ka nxitur shqetësim ndërkombëtar për qëndrueshmërinë në vend.
Kosova ka fajësuar shtetin serb për sulmin, ndërsa Serbia serbët në Kosovë. Millan Radoiçiq – ish-nënkryetar i Listës Serbe – e mori përgjegjësinë dhe vazhdon të jetë i lirë në Beograd.
Në fund të muajit të kaluar, Stoltenberg premtoi se aleanca ushtarake perëndimore do të bëjë gjithçka për ta ruajtur paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Së fundmi, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, i paralajmëroi Kosovën dhe Serbinë se shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës nënkupton përballje me NATO-n.
“Është e rëndësishme që të dyja palët ta kuptojnë se, nëse ndodh ndonjë trazirë në veri, kjo nënkupton përballje me NATO-n”, tha O’Brien më 27 nëntor.
Ai tha se veriu i Kosovës duhet të jetë i qetë dhe i sigurt në mënyrë që Kosova dhe Serbia të shënojnë përparim politik në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.