Edhe pse një ditë më parë Shënkolli u përjashtua nga kampionati për dhunë ndaj zyrtarëve të ndeshjes, kjo gjë nuk e ka penguar Tomorin që të protestojë dhe të sulmojë gjyqtarin e ndeshjes ndaj Vorës. Kjo situatë u krijua për një karton të kuq të akorduar në minutën e 14-të.
Nga pamjet, duket qartë dhuna dhe presioni i ushtruar nga futbollistët e Tomorit ndaj gjyqtarit Sokol Bebja. Madje një person ka hyrë në fushë dhe e ka goditur gjyqtarin. Pamje të turpshme që nuk përligjin reagimin e beratasve, sido që të ketë qenë vendimi i gjyqtarit.
Në minutën e 14-të gjyqtari Bebja i ka nxjerrë kartonin e dytë të verdhë Beçkës dhe vendasit kanë mbetur të pakënaqur nga kartoni i kuq që nxori arbitri.
Ky vendim solli tension në fushën e lojës, ku protestat ndaj gjyqtarit Sokol Bebja u intensifikuan duke e rritur tensionin në fushë.
Kjo ka bërë që gjyqtari të nxjerrë me karton të kuq edhe Sharavollin e Tomorit në minutën e 16-të duke e lënë skuadrën beratase me 9 lojtarë në fushë. Ndeshja u ndërpre për tre minuta dhe më pas vazhdoi normalisht.