Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ftoi shqiptarët e Luginës së Preshevës që të votojnë për të zgjedhur deputetët shqiptarë në Kuvendin e Serbisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hasani i fton ata që të dëshmojnë unitet dhe pjesëmarrje masive në zgjedhje.
Ai iu bën thirrje që të votojnë kandidatët shqiptarë, pasi kështu do të votojnë për të ardhmen në mbrojtje të të drejtave, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe orientimit evropian.
“Të dielën, më 17 dhjetor, shqiptarët e Luginës së Preshevës do të votojnë për të zgjedhur deputetët shqiptarë për Kuvendin e Serbisë. I ftoj ata të dëshmojnë unitet dhe pjesëmarrje masive në zgjedhje.
Votoni kandidatët shqiptarë, pasi kështu do të votoni për të ardhmen tuaj më të mirë, në mbrojtje të të drejtave tuaja, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe orientimit evropian. Mos hezitoni, ruani kompaktësinë dhe vini interesat kolektive mbi interesat partiake!
U uroj fitore kandidatëve shqiptarë”-shkruan Hasani.