Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, u shpreh optimist pas hedhjes së shortit të grupeve të “Euro 2024”, ku Shqipëria do të përballet me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë.
“Nuk besoj se ka grup të lehtë dhe ekipe të dobëta, ndaj edhe quhet turne final europian. Këtu vijnë skuadrat më të mira, ndaj nuk mund të nisesh nga shorti, por të jesh gati për të bërë më të mirën. Unë dua të falënderoj futbollistët, stafin, trajnerin Sylvinho dhe tifozët, që e sollën Shqipërinë në Europian. Ta shijojmë këtë sukses dhe të përgatitemi për finalet e Europianit, ku do të provojmë të bëjmë më të mirën. I fortë bëhesh duke fituar me të fortët, ndaj ne këtë do ta provojmë në Europian. Uroj dhe vazhdojmë të besojmë që do të kalojmë grupin. Nuk e di kush nuk do të kualifikohet nga ato të treja”, tha Duka.