Ish-ushtari i UÇK-së, Veli Sadiku, me origjinë nga Mitrovica e Jugut është qëlluar për vdekje në Francë, si pasojë e përplasjes me armë zjarri mes dy bandave kriminale.
Sipas medias franceze “Le Figaro”, Sadiku i cili ishte viktimë e rastësishme, pasi ishte në gjumë ndërsa është qëlluar. Për ngjarjen e rëndë ka folur edhe vajza e viktimës.
“Unë dhe nëna ime u zgjuam nga të shtënat e armëve, të cilat u ndalën fillimisht për disa momente dhe pastaj filluan sërish. Kur unë dhe nëna ime shkuam të shohim babanë ku flinte në shtratin e tij, ai kishte vdekur”, thotë 23-vjeçarja për gazetën franceze.
55-vjeçari bashkë me familjen e tij kishte 14 vjet që jetonte në Francë. Media franceze nuk bëri të ditur emrin e viktimës por mediat kosovare dhe postimi në rrjete sociale mësohet se viktima është Veli Sadiku, nga fshati Rashan i Mitrovicës, i cili gjatë luftës ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Rreth orës 12:30, disa personat që udhëtonin me një automjet kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të ndërtesave dhe “nga një prej të shtënave ka mbetur i plagosur për vdekje një 55-vjeçar, i cili ndodhej në banesën e tij ”, thotë prokurori i Dijonit. Viktima e shpallur i vdekur në orën 12:50 të mëngjesit, ndodhej në banesën e tij në katin e parë me gruan dhe vajzën e tij, thotë një burim policor. Të shtënat kanë ndodhur në rrethin e Stalingradit dhe dy persona janë në arrati, sipas të njëjtit burim”, shkruajnë mediat franceze.