Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ka reaguar lidhur me sulmin terrorist të mëngjesit të sotëm mbi selinë e ministrisë së Brendshme në Ankara.
Gjatë fjalës së tij, Erdogan ka theksuar se Ankaraja zyrtare do të vazhdojë luftën brenda dhe jashtë vendit derisa terroristi i fundit të eliminohet.
“Ne nuk do të lejojmë që organizata terroriste të drejtojë politikën apo të pengojë marshimin e shenjtë të vendit tonë. Aksioni në të cilin u neutralizuan dy vrasës mëngjesin e sotëm është lufta e fundit e organizatës terroriste. Terroristët që kërcënojnë qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve nuk i kanë arritur qëllimet dhe nuk do t’i arrijnë kurrë. Ne nuk lejojmë propagandë nga ata që tentojnë të minojnë vullnetin kombëtar duke përmendur artin. Mendoj se këtë ia kemi borxh kombit tonë që ndaloi tanket natën e 15 korrikut”- tha Rexhep Taip Erdogan – President i Turqisë.
Kritika të ashpra Presidenti turk ka hedhur edhe për Bashkimin Europian.
“Ne mbajtëm çdo premtim që i bëmë BE-së, por ata nuk mbajtën pothuajse asnjë nga premtimet që na bënë. Nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin e njëanshëm të BE-së ndaj vendit tonë. Ata po i bëjnë padrejtësi vendit tonë me një qasje që shpërfill proceset që ata kanë bërë. Si Turqi, nuk kemi asnjë pritshmëri nga BE-ja, në derën e së cilës jemi lënë në pritje prej 60 vitesh. Ata duhet të mendohen për padrejtësitë që bëjnë ndaj nesh, veçanërisht për vendosjen e vizave. Nëse nuk e bëjnë, ata humbasin të drejtën për të pasur ndonjë pritshmëri nga ne. Nëse është e nevojshme, ne nuk do të zbatojmë kriteret e Kopenhagës por kriteret e Ankarasë dhe do të vazhdojmë rrugën tonë”-tha Rexhep Taip Erdogan – President i Turqisë.