Hapen aplikimet për kredi të lehtësuara për administratën publike, për vitin 2023, të cilat mundësohen për herë të parë online, nëpërmjet portalit e-Albania. Nga kjo masë lehtësuese do të përfitojnë 300 aplikantë, të përzgjedhur sipas një sistemi pikëzimi të paracaktuar, mes tre kategori punonjësish të administratës: mjekëve të sistemit shëndetësor publik, punonjësve të Policisë së Shtetit dhe ushtarakëve të Forcave të Armatosura. Koha për kryerjen e aplikimeve zgjat 30 ditë.
Me e-Albania, aplikimet e këtij viti do të jenë të shpejta, pa radhë dhe ecejake, ndërsa do të vendoset një komunikim i ri, i sigurt dhe i thjeshtë, duke nisur nga dërgimi i kërkesës, me ngarkimin e vetëm një dokumenti në varësi të zotërimit ose jo të një prone të patundshme, pranimi i aplikimit dhe në fund kthimi i përgjigjes elektronikisht për qytetarët. Risia tjetër e këtij lloj aplikimi është se vetë sistemi ofron informacion paraprak, mbi llojin dhe sipërfaqen e banesës që një punonjësi aplikues mund të përfitojë, në rast se shpallet mes kuotave fituese.
Kushtet për të qenë pjesë e skemës përfituese, janë qartësuar tashmë nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, duke nisur nga domosdoshmëria e të qenurit të punësuar në administratën publike, mungesa e një banese, qëndrimi në shtëpi të dëmtuara nga tërmeti apo jetesa në apartamente të vogla me numër të madh anëtarësh. Përjashtohen nga aplikimi, punonjësit që kanë banesë në proces regjistrimi e legalizimi ne emër te tyre dhe anëtarëve të familjes sipas certifikates familjare, si dhe të bashkëjetuesit/es, jetojnë në shtëpi me hapësira normale banimi, që kanë në emër të tyre dhe anëtarëve të familjes sipas certifikatës familjare, si dhe të bashkëjetuesit/es pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi, me vlerë mbi gjysmën e shumës së vlerës përkatëse të banesës që duan të marrin kredi. Në këtë sistem aplikimi nuk përfshihen as punonjësit, që janë aktualisht përfitues nga programet e strehimit social, vetë ata ose anëtarët të familjes, sipas certifikatës familjare, si dhe të bashkëjetuesit/es.
Si funksionon procedura e aplikimit dhe cilat janë dokumentet elektronike që nevojiten?
Risia e këtij viti, është aplikimi online me vetëm një dokument, në portalin e-Albania, që u mundëson qytetarëve të interesuar një aplikim të shpejtë dhe të lehtë, me një procedurë që përfundon në pak minuta.
Pasi aplikantët, sigurohen se janë pjesë e fashës përfituese dhe identifikohen në kategorinë QYTETAR në portalin e-Albania, duhet të zgjedhin mes 1231 shërbimeve elektronike, atë me titull ”Aplikim për trajtimin me kredi të lehtësuar të të punësuarve në administratën publike për blerjen e banesës” https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=15809
Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur nevojitej mbledhja e dokumenteve dhe depozitimi i tyre fizikisht, me e-Albania sot procedura është lehtësuar ndjeshëm, pasi kryhet e gjitha online duke ndjekur hapat e duhur, të përshkruar qartazi në shërbimin elektronik.
Përpara nisjes së aplikimit, qytetarët e interesuar duhet të plotësojnë formularin elektronik dhe të ngarkojnë vetëm një dokument, në varësi të rastit.
Pra, një aplikues që gëzon një pronë vetë ai, ose pjesëtarët e familjes së tij, përfshirë këtu edhe personin bashkëjetues duhet të ngarkojë VETËM kopjen e certifikatës së pronësisë për banesën, së bashku me rivlerësimin e saj. (Nëse ende nuk e ka dokumentin mund ta përfitojë duke përdorur shërbimin ”Aplikim për lëshim certifikate pronësie.)
Por, nëse nuk është ky rasti dhe aplikuesi e familja e tij nuk kanë asnjë pronë në zotërim, duhet të ngarkohet në formularin elektronik VETËM vërtetimi negativ nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Për tërheqjen e këtij dokumenti elektronikisht, e-Albania vjen sërish në ndihmë me shërbimin ”Aplikim për lëshim vërtetimesh (negativ/pozitiv për të gjithë territorin)”.
Marrëveshje noteriale për bashkëjetuesin/en (nëse ka bashkëjetues/e)
Nga ndërveprimi me regjistrat elektronikë të automjeteve, mundësohet shfaqja në formularin mjeti apo mjetet që aplikantët ose familjarët kanë në zotërim, një tjetër e dhënë e nevojshme në kuotimin dhe renditjen finale të fituesve.
Përgjigjja për aprovimin apo refuzimin e aplikimit, do t’i mbërrijë aplikantit në rubrikën ”Mesazhet e mia” në profilin e tij ne portalin e-Albania. Në rast aprovimi, elektronikisht aplikanti njoftohet lidhur me udhëzimet për vijimin e procedurave të tjera.
Kuotat prej 300 përfituesish nga kredia e lehtësuar për banesa do të ndahen në mënyrë të barabartë mes punonjësve të mjekësisë, policisë dhe ushtrisë, si një skemë mbështetëse për të gjithë atë personel në nevojë për strehim të domosdoshëm dhe të sigurt.