Është ndarë nga jeta ish-deputeti i Partisë Demokratike, Baki Shehi.
Lajmi është bërë i ditur nga kreu i PD, Lulzim Basha, i cili përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka shprehur ngushëllimet për humbjen e ish-deputetit.
Baki Shehi ka qenë edhe ish-gjeneral i Forcave të Armatosura dhe një studiues i historisë.
“Mësova me hidhërim ndarjen nga jeta të Baki Shehit, deputet i Partisë Demokratike, gjeneral i Forcave të Armatosura dhe studiues i apasionuar i historisë. I dashuruar pas vendlindjes së tij, të cilës i përkushtoi me pasion dhe humanizëm aktivitetin e tij politik, përmes një pune të gjatë e të palodhur, Baki Shehi hulumtoi me kërshëri të shkuarën e lashtë të Ndroqit, duke i dhënë jetë një libri që do të mbetet testament i lidhjes së tij të ngushtë me këtë komunitet, të cilit i shërbeu me devocion dhe dashuri. Ndonëse i sfiduar dhimbshëm nga dallgët e jetës, gjeneral Baki Shehi ruajti përherë zemërgjerësinë dhe fisnikërinë me të cilën do të kujtohet nga miqtë dhe kolegët e tij. Me ndarjen e tij nga kjo jetë Partia Demokratike humbi një prej kontribuesve të saj të vyer.
Mendimet dhe lutjet e mija janë me familjen, të afërmit dhe miqtë e dashamirët e tij të shumtë”, shkruan Basha./Opinion.al