Policia ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale në Krujë. Uniformat blu pas marrjes së njoftimit për një konflikt me armë zjarri, në lagjen “Kastrioti”, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Step by step”, për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit.
Sipas policisë, katër persona janë arrestuar pasi kanosën me armë zjarri pronarin e një biznesi, që të tërhiqte kallëzimin për njërin nga të arrestuarit, për vjedhje në biznesin e tij.
Bëhet fjalë për: E. B., 25 vjeç, A. H., 18 vjeç, të dy banues në fshatin Zallë; S. H., 42 vjeç dhe A. H., 18 vjeç, të dy banues në Borizanë.
“Shtetasi S. H. dyshohet ka vjedhur në një biznes, njësi tregtare makinash, në pronësi të shtetasit B. H., i cili ka bërë kallëzim në Polici, për këtë shtetas. Më pas, shtetasi S. H., bashkë me 3 shtetasit e tjerë të arrestuar, ka kanosur me armë zjarri shtetasin B. H., për të tërhequr kallëzimin”-njofton policia.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi S. H. ka kultivuar bimë narkotike që janë gjetur në fshatin Picrragë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu çifte, 2 celularë dhe bimët e dyshuara narkotike kanabis.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.