Katër persona që funksiononin si grup criminal dhe magazinonin, buzë liqenit në Pogradec, lëndën narkotike për ta trafikuar atë, me varka peshkimi, drejt RMV-së, janë vënë në pranga nga policia.
Nga hetimi proaktiv njëmujor rezultoi se 4 të arrestuarit e kryenin këtë veprimtari kriminale, kundrejt pagesës 500 euro/kg lëndë narkotike.
Mësohet se në pranga janë vënë A. T., 51 vjeç; A. T., 43 vjeç (43-vjeçari, punonjës pranë Qendrës së Rasatit të Koranit, në Pogradec) vëllezër, të dy banues në fshatin Piskupat, si dhe shtetasit R. S., 45 vjeç dhe T. B., 53 vjeç, (53-vjeçari, punonjës pranë Qendrës së Rasatit të Koranit, në Pogradec) të dy banues në fshatin Lin.
Nga hetimet intensive të kryera në kuadër të këtij operacioni rezultoi se këta shtetas vepronin në mënyrë të organizuar, për të trafikuar lëndë narkotike cannabis sativa, drejt RMV-së, kundrejt pagesës 500 euro/kg lëndë narkotike.
2 vëllezërit, shtetasit A. T. dhe A. T. siguronin lëndën narkotike që do të trafikohej dhe e magazinonin atë buzë liqenit, në fshatin Lin, Pogradec. Më pas lënda narkotike trafikohej drejt RMV-së, me varka peshkimi që drejtoheshin nga shtetasit R. S. dhe T. B.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 26 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, 1 varkë peshkimi, 2 automjete dhe 4 celularë.
Vijojnë hetimet për identifikimin dhe për arrestimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.