Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka folur sot edhe për operacionin e policisë ku u gjetën të kultivuara 125 bimë kanabis sativa në repartin ushtarak të Zall Herrit.
Në një prononcim për mediat, pas homazheve për ish drejtorin e policisë së shtetit Fadil Canaj, Balla tha se operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me policinë ushtarake.
Ndër të tjera ai bëri me dije se në këtë operacion janë angazhuar mbi 6000 punonjës policie, ndërsa paralajmëroi se aksioni do të vazhdojë.
“Goditja e ligjit përkundrejt çdolloj veprimtarie kriminale do të vazhdojë. Dua të ju bëj me dije se në rastin që ju përmendni, në operacionin që kemi ndërmarrë në shkallë kombëtare kundër kultivimit të lëndëve narkotike, në rastin në fjalë kemi pasur bashkëpunim tepër të shkëlqyer dhe me Policinë Ushtarake dhe në atë koordinatë kemi vepruar së bashku, Policia e Shtetit dhe Policia Ushtarake. Kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi rezultate të mira në këtë megaoperacion ku janë përfshirë 6000 forca të policisë së shtetit edhe policia ushtarake. Puna vazhdon”, tha Balla./Opinion.al