SPAK, në një njoftim për mediat, ka zbuluar se si funksiononte skema e mashtrimit të një grupi shqiptarësh përmes një call-centeri, të cilët telefonin qytetarë të ndryshëm italianë dhe i bindnin të investonin online.
Gjatë hetimeve janë administruar nga Prokuroria e Posaçme në total 140 kallzime të kryera nga palët e dëmtuara ne Itali, të cilët janë mashtruar nga grupi kriminal në një shumë totale prej afërsisht 4.700.000 euro.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, qytetarët italianë kontaktoheshin nëpërmjet telefonit dhe bindeshin nga mashtruesit për të investuar fillimisht shifra shumë të vogla të cilat në dukje çonin në fitime stratosferike.
Disa qytetarë në fakt, shihnin se si trefishohej investimi i tyre në pak ditë, duke i parë fitimet nëpërmjet platformave të fallsifikuara dhe të konfiguruara enkas për to nga organizata kriminale me qëllimin për ta bërë sa më të besueshëm fitimin.
Gjatë kryerjes së më shumë se një numri mjaft të madhe përgjimesh në Itali dhe Shqipëri, ka rezultuar se mashtruesit ishin mjaft të aftë në përdorimin e teknikave reale bindëse aq sa kishin arritur të bindnin qytetarët e pafajshëm të investonin gjatë kësaj kohe qindra mijëra euro në llogari rrjedhëse jashtë shtetit.
Në çdo transferim në hyrje rezultonte dhënia e një sasie BitCoin në favor të një Portofoli të panjohur duke humbur në këtë mënyrë gjurmët e parave.
Si funksiononte grupi?
Grupi funksiononte sipas skemave shumë të sakta: operatorët e ndryshëm të call center, të cilët merrnin një pagë mujore dhe merrnin bonus sa herë që përmbyllnin një investim, të ndarë sipas grupeve. Në krye të secilit grup ishte një drejtues i cili përveç se merrte një përqindje për investimet e realizuara, merrte edhe një bonus për mashtrimet e kryera nga operatorët e grupit të tij. Çdo drejtues nga ana tjetër i përgjigjej një administratori i quajtur supervizor, i cili përveç se merrte pagesën mujore më të lartë, merrte dhe përfitime të rëndësishme nga mashtrimet e realizuara nga të gjithë pjestarët e grupit kriminal.
Përveç kësaj ishin parashikuar edhe sanksione dhe dënime për ata që nuk do të arrinin të përmbyllnin kontrata.
Bëhet fjalë për një sistem që i bënte operatorët “të mos kishin besim” tek njëri-tjetri dhe të ishin në garë se kush ishte më i zoti për të përmbyllur kontrata dhe për të sjellë fitime; e gjitha kjo në dëm të qytetarëve të pafajshëm, viktima të kësaj gare absurde.
Verifikimet hetimore kanë bere te mundur gjithashtu përcaktimin dhe identifikimin e teknikëve përgjegjës të grupit te strukturuar të cilët administronin jo vetëm të gjithë infrastrukturën informatike të call center-it të ngritur, por dhe kujdeseshin për të fshehur dhe penguar hetimet ndaj tyre dhe identifikimit të call center-it në fjalë.