Vendndodhja e kreut të Wagnerit, Yevgeny Prigozhin ka qenë burim spekulimesh që pas grushtit të shtetit, i organizuar nga ai në muajin qershor.
Ditën e sotme, mediat franceze kanë shkruar se njeriu që ngjalli frikën e një lufte civile në Rusi, ka qenë në Moskë e madje sipas Liberation, ai edhe ishte takuar në Kremlin me kreun e shtetit rus, Vladimir Putin.
Lajmin që brenda një kohe të shkurtër u përhap me shpejtësi në internet, e konfirmoi më vonë edhe vetë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Peskov pohoi se Prigozhin dhe Putin u takuan më 29 qershor, pa dhënë detaje se ku ndodhet aktualisht.
Ai sqaroi se takimi zgjati tre orë dhe në të morën pjesë dhjetëra persona.
“Gjatë një takimi tre orësh me 35 persona, dy komandantë të njësisë Wagner i thanë Putinit se do të vazhdonin të luftonin për të”, pohoi Peskov.
Pak ditë më parë, presidenti i Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko doli me deklaratën se Prigozhini ndodhej në Moskës dhe se çështja e zhvendosjes së mijëra luftëtarëve të tij në Bjellorusi ende nuk është zgjidhur.
Prigozhini dhe qindra luftëtarë të tij të armatosur mercenarë udhëhoqën një kryengritje të shkurtë më 24 qershor, kur pushtuan qytetin jugor rus të Rostov-mbi-Don dhe kërcënuan të marshonin drejt kryeqytetit rus.
Grushti i shtetit u qetësua pas një ndërhyrje të presidentit Bjellorus, Lukashenko me kreun e grupin Wagner, Prigozhin.