Çdo vit, në auditorët e universiteteve publike po ulen gjithnjë e më pak studentë.
Sipas të dhënave të INSTAT, për vitin akademik 2022-2023 vazhdojnë studimet në të gjithë programet e arsimit të lartë rreth 91 mijë studentë, ose 75% e totalit të studentëve gjithsej, që arrijnë në rreth 121 mijë, përfshirë sistemin privat.
Në krahasim me vitin 2018, numri i studentëve të regjistruar në arsimin publik ka rënë me 19.7%, ose rreth 22.3 mijë studentë më pak.
Plakja graduale e popullsisë që ka ulur grupmoshën e re, së bashku me emigrimin e të rinjve vlerësohen si arsyet kryesore që kanë ndikuar në këtë tendencë. Psh, grupmosha 15-24 vjeç zbriti në 13% të totalit në fund të vitit 2022, nga 16.1% në 2018-n.
Universitetet, me rënien më të madhe, kryesojnë rrethet
Universitetet e rretheve kanë parë rënien më të madhe të studentëve. Në pesë vjet Universiteti “Luigj Gurakuqi” Shkodër ka humbur më shumë sesa gjysmën e studentëve, duke shënuar vetëm rreth 3.7 mijë të regjistruan në vitin akademik 2022/2023, nga 8245 në 2016-n. (shiko grafikun: Studentë për çdo universitet në arsimin publik).
Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan kishte 37% më pak studentë në 2022-n, në raport me pesë vjet më parë, në atë të “Fan S.Noli” Korçë dhe “Ismail Qemali” Vlorë, nga rreth 30% më pak.
Vetëm Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës ka rezistuara, duke pasur të njëjtin numër të regjistruarish në krahasim me pesë vite më parë.
Universiteti i Tiranës, (Fakulteti i Drejtësisë. Fakulteti i Ekonomisë. Fakulteti i Gjuhëve të Huaja. Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë) më i madhi në vend, më 22 mijë studentë, ose 24% të totalit të studentëve të regjistruar, ka shënuar gjithashtu një tkurrje të lartë me 25% të numrit të nxënësve në 5 vitet e fundit.
Nuk ka pasur shumë interes as për Fakultetin e Mjekësisë, ku në vitin akademik 2022/2023 ishin të regjistruar 5,842, ose 18% më pak sesa në 2018-n.
Nga universitetet e mëdha, i vetmi me rritje, ndonëse të lehtë, është ai Politeknik, me zgjerim prej 1.4%.
Universiteti që ka ngjallur më shumë interes ka qenë ai i Sporteve, i vetmi me rritje 29.3% të numrit të studentëve në pesë vitet e fundit, ndonëse ka një numër të ulët (1853).
Universitetet private ende vijojnë me rritje
Rreth 30 mijë studentë të tjerë, ose 25% e totalit janë të regjistruar në Universitetet private. Ndryshe nga publiku, sistemi privat ende vijon të rritet ndonëse duke u nisur nga një bazë e vogël. Në raport me 2018-n, në privat janë shtuar gati 5 mijë studentë, ose 18% më shumë.
Të dhënat e fundit të INSTAT për universitetet private janë për vitin akademik 2021-2022, ku më i madhi ishte Albanian University (3849), të ndjekur nga Universiteti Europian i Tiranës (3500), Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë (3089), Universiteti Epoka (2730), Universiteti Zoja e Këshillit të Mirë (2550)./ Monitor