“Do të jem gjithmonë krenar për faktin se kam qenë President i Shteteve të Bashkuara në kohën kur juve ju duhej dikush që do të qëndronte kundër spastrimit etnik, dëbimit të njerëzve nga shtëpitë e tyre”.
Me këto fjalë, ish-Presidenti amerikan, Bill Clinton iu drejtua 4 vite më parë, popullit që e nderon si hero për kontributin në çlirimin e Kosovës.
Teksa u dekorua me urdhërinë e lirisë, nga atëherë Presidenti Hashim Thaci për rolin vendimtarë në fushatën bombarduese të NATO, që i dha fund luftës në Kosovë, Klinton dëshmoi së lidhja e tij me shqiptarët, dhe Kosovën mbetej e fortë, ashtu si edhe vlerësimi i popullit shqiptar për të.
Një histori dashurie, të cilën e ndjen lehtësisht në rrugët e Prishtinës, ku një bulevard mban emrin e tij, e po ashtu një statujë me përmasa njerëzore e me krahët e hapur ngre në piedestal ish-Presidentin Klinton.
Kontributi i Klintonit në rajon shtrihet përtej Kosovës. Edhe pse nuk e ndreqi dot Ballkanin, siç pohojnë disa analistë, gjatë udhëheqjes së tij u përfshi gjithmonë e më shumë në çështjet e rajonit, fillimisht me fokus tek Bosnje-Hercegovina.
Ai u bëri presion aleatëve perëndimor për ndërmarrjen e masave të forta kundër serbëve gjatë luftës në Bosnjë. Në 1999, pa mbështetjen e Këshillit të Sigurimit dhe duke anashkaluar kongresin amerikan, atëherë presidenti Klinton mbështeti bombardimet ajrore të NATO-s kundër pozicioneve të ushtrisë serbe, për të ndalur vrasjen e shqiptarëve etnikë.
I lindur në vitin 1946 në Arkansas, me emrin William Jefferson Blythe III, ai shërbeu si presidenti i 42 i Shteteve të Bashkuara nga viti 1993 deri në 2001-n. Edhe pse presidenca e tij u shënjua nga skandali seksual me sekretare Monika Levinski, ai mbetet mes liderëve më popullorë të Shteteve të Bashkuara.
Gjatë udhëheqjes së tij, Amerika shijoi një epokë paqeje dhe prosperiteti, e shënjuar nga papunësia e ulët, rënia e nivelit të kriminalitetit dhe suficiti buxhetor. Pas largimit nga shtëpia e bardhe mbetet aktiv në jetë publike, duke themeluar një fondacion për luftimin e varfërisë, sëmundjeve dhe problemeve të tjera globale.