Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka thënë se është shqetësues fakti se numri i të paraburgosurve është më i lartë se i të burgosurve me formë të prerë.
Gjithashtu ai është shprehur se ka ardhur koha për të ndryshuar mentalitetin në ushtrimin e ndjekjes penale.
“Ka ardhur koha për të ndryshuar thellësisht mentalitetin në ushtrimin e ndjekjes penale dhe të hetimit. Po marr shumë shkurt shembullin e zbatimit të masave të sigurimit personal. Dëgjojmë që prokurorët kërkojnë dhe gjykata japin masa të arrestit në burg. Aktualisht, në sistemin e burgjeve kemi 2 mijë e 151 të burgosur, të dënuar me vendim të formës së prerë dhe 2 mijë e 657 të paraburgosur, pra mbi 55% në sistemin tonë janë të paraburgosur. Fakti që numri i të paraburgosurve tejkalon numrin e të burgosurve është shqetësues dhe kjo situatë nuk ngjan me asnjë vend tjetër në rajon dhe më gjerë”, tha Manja./Opinion.al