Lulzim Basha vijon takimet me demokratët me nisjen e fushatës për zgjedhjen e kreut të ri të Partisë Demokratike. Ish-kryedemokrati është takuar me demokratë e qytetarë të Njësisë Bashkiake Nr.4 në kryeqytet.
Për Bashën, ka ardhur koja që PD të rikthehet në vendin që i ka dhënë historia, “në aleancë më SHBA, Britaninë e Madhe dhe BE-në.”
Ai përsëriti thirrjet për ndarje përfundimtare nga e shkuara teksa shtoi se demokratët janë shumë të vonuar në procesin e rinovimit të partisë.
“E për këtë unë e pranoj përgjegjësinë time. Do të vendosim energjinë e rinisë përpara dhe pjekurinë e mençurinë e përvojës si mbështetje ndaj saj.”
Lulzim Basha premtoi se, kësaj radhe, do të sjellë një model ndryshe nga ai konfluktual me të cilin, sipas tij, qytetarët janë mbingopur gjatë tranzicionit.
“Modelin e kam dhënë edhe gjatë kësaj kohe, teksa shumëkush nuk ka qenë dakord, unë nuk i jam përgjigjur baltës me baltë. Në fund të fundit, ky është modeli që refuzojnë shqiptarët dhe nga i cili përfiton kundërshtari ynë.”
Për kandidati për kreun e ri të PD-së, vettingu i politikanëve, është kontributi më i rëndësishëm që gjithkush duhet të japë.
“Partia Demokratike është partia e parë opozitare, partia e shpresës shqiptare dhe pa asnjë diskutim i takon të rikthehet në vendin që i ka dhënë historia dhe shqiptarët, sigurisht në një aleancë të fortë me SHBA, Britaninë e Madhe dhe BE. Ne do të bëjmë ndarjen në mënyrë të qartë dhe përfundimtare të së ardhmes nga e shkuara. Për ne nuk ka bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës! Jemi shumë të vonuar në procesin e rinovimit të partisë. E për këtë unë e pranoj përgjegjësinë time. Do të vendosim energjinë e rinisë përpara dhe pjekurinë e mençurinë e përvojës si mbështetje ndaj saj.Ne ndahemi nga mentaliteti i turmës, ku fajet bëhen kolektive për t’i ikur përgjegjësisë. Ata që shkelin ligjin dhe abuzojnë me pushtetin janë thjesht fajtorë. Vetting-u i politikanëve është kontributi më i rëndësishëm që gjithkush që e konsideron veten të pastër mund të japë për një politikë të pakorruptuar dhe inkriminuar, që i jep fund politikës së përbaltjes.Kjo përballje nuk është aspak e lehtë. Ata kanë kaluar 32 vjet me pushtet dhe janë bashkë për të ruajtuar status quo-në. Por, siç e dëshmon historia, atëherë kur duken më të fortë, perandoria e tyre shembet më shpejt.Me besimin tuaj do të jem kryetari i Partisë Demokratike dhe politikani që jep një model ndryshe nga ai konfluktual, me të cilin qytetarët janë mbingopur gjatë tranzicionit. Do të jem politikani që problemet personale të pushtetit, nuk i kthen në problemin e partisë, aq më pak të Shqipërisë.Modelin e kam dhënë edhe gjatë kësaj kohe, tekas shumëkush nuk ka qenë dakord, unë nuk i jam përgjigjur baltës me baltë. Në fund të fundit, ky është modeli që refuzojnë shqiptarët dhe nga i cili përfiton kundërshtari ynë.Ky është misioni i ri i Partisë tonë. Një parti moderne, që reflekton kohën, shoqërinë dhe nevojat e saj, që respekton kontributet, garanton karrierën, forcon meritokracinë, e hapur ndaj të rinjve dhe mendimeve të reja. Ky është modeli që duhet t’u japim shqiptarëve, si shembull i ndryshimit që po ndërmarrim për Shqipërinë”,-shkruan Basha.