Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka thirrur sot një mbledhje me grupin parlamentar, një ditë para se të mblidhet Këshilli Kombëtar që do të votojë për 29 korrikun si dita kur do të mbahen zgjedhjet për kryetarin e ri të PD-së.
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes Bardhi u shpreh se vendimi për të mbledhur Këshillin Kombëtar të PD-së më datë 20 Qershor bie ndesh me statutin e Partisë Demokratike.
Bardhi shtoi se ai dhe 17 anëtarë të tjerë të grupit parlamentar të PD-së nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar ditën e nesërme.
“Vendimi i Kryesisë së PD-së shkel statutin duke cënuar mbledhjen e Këshillit Kombëtar të ditës së nesërme. 17 anëtarë të grupit parlamentar të PD-së vendosën mospjesëmarrjen në mbledhjen e nesërme në kundërshtim me statutin e partisë. Ky debat na ka mësuar se nuk mund t’i ngjasojë më kurrë proceseve të së shkuarës, kur vetë heq lista e vetë voton, kjo është një histori që nuk duhet të përsëritet më.
Ne nuk mund të ndryshojmë sipas interesit personal të askujt. PD ka nevojë për maturim dhe jo konflikt, ka nevojë për të dëgjuar mendimin ndryshe dhe jo për përjashtime të reja. Kujt i shërben një tjetër konflikt në PD? Pse sajohen provokime nga statute që na ndajnë? Kujt i intereson thellimi i ndasive brenda PD-së? Është e qartë se ky nuk është interesi më i mirë i PD-së, nuk është interesi i demokratëve dhe i Shqipërisë. Një PD e përçarë i intereson vetëm Ramës.
Dua të ju siguroj se nuk do të bëjmë kurrë kompromis për të zhbërë PD-në. Beteja ime dhe e kolegëve të mi, ka dhe do të ketë vetëm një qëndrim: Ta bëjmë PD-në në forcë të besueshme”-tha Bardhi.