Partia Demokratike, ka reaguar përmes deputetit, Flamur Noka, për miratimin e projektligjit për legalizimin e kanabisit mjekësor.
Në një deklaratë për mediat në selinë blu, Noka tha se ky vendim është taksa që kryeministri Edi Rama do u paguajë bandave për zgjedhjet e vjedhura.
Më tej deputeti demokrat tha se legalizimi i kanabisit nuk është asgjë më shumë se legalizimi i një sektori kriminal në të cilin qeveria ka qenë e angazhuar që në fillim.
“Vendimi, që vjen menjëherë pas zgjedhjeve, fakton atë që Partia Demokratike e thotë çdo ditë me zë të lartë: nuk ka pasur zgjedhje, por farsë. Këtë farsë e ka mundësuar pushteti në bashkëpunim të ngushtë me bandat e drogës. Legalzimi është taksa që Rama u paguan bandave për zgjedhjet e vjedhura.
Ky është hapi i radhës në çimentimin e lidhjes së shtetit me krimin, shtetëzimi i aseteve kriminale dhe kriminalizimi i politikave shtetërore. Partia Demokratike e dënon me ashpërsi këtë hap të radhës drejt çmendurisë dhe rrënimit të shtetit dhe të së ardhmes. Shqipëria nuk ka një shtet të tillë që mundëson, as ekspertizën për sipërmarrje të tilla dhe as burokracinë që e kontrollon atë.
Legalizimi i kanabisit nuk është asgjë më shumë se legalizimi i një sektori kriminal në të cilin qeveria ka qenë e angazhuar që në fillim. Baronët e drogës tani do të legjitimohen dhe, nga industria e kanabasit do të kalojnë në faramaceutikë, e më pas në politikë. Ky projektligj nuk është gjë tjetër veçse përpjekja për ta tomdoshëzuar politikën shqiptare. Nuk është gjë tjetër veçse përmbushja e premtimit të Edi Ramës për padrinon e tij George Soros. Legalizimi i kanabisit është një eksperiment i dështuar në vende të tjera, dhe duke ditur kapacitetet tona dhe korrupsionin e zinxhirit shtetëror, Edi Rama inauguron ne Shqiperi Republiken e Kanabisit”-tha Noka.
Në përfundim të fjalës së tij Noka u ka bërë thirrje deputetëve të Partisë Socialiste, që sipas tij duhet të vendosin si do të mbeten në histori, si socialistë apo kanabistë.
“Në fund, një thirrje për deputetët e partisë në pushtet: duhet të vendosni si do mbeteni në histori, si socialistë apo kanabistë! Mbështetja e Ramës në këtë marrëzi nuk është politikë për mbajtjen e pushtetit, por dorëzim i fëmijëve tuaj dhe të shqiptarëve pushtetit të substancave narkotike dhe kriminalizim i ekonomisë shtetërore”-tha Noka./Opinion.al