Ministria e Brendshme e Serbisë u bëri thirrje qytetarëve që posedojnë armë të paregjistruara se që nga dita e sotme deri më 8 qershor të këtij viti, kanë afat t’i dorëzojnë ato në stacionin më të afërt policor.
Jelena Lakiçeviq, shefe e Departamentit të Armëve në Administratën për Çështje Administrative të MPB-së, thekson se gjatë kësaj periudhe qytetarët të cilët dorëzojnë armët e paregjistruara nuk do të mbajnë përgjegjësi penale, nuk do të kenë ndonjë pasojë si dhe nuk do të vërtetohet origjina e armëve.
“Ftojmë qytetarët që posedojnë armë pa leje që t’i përgjigjen kësaj thirrjeje, të kontaktojnë stacionin më të afërt policor dhe t’i dorëzojnë armët për të cilat nuk posedojnë dokumente armësh”, tha Lakiçeviq, në komunikatën e MPB-së.
Ajo saktësoi se ftesa ka të bëjë me të gjitha llojet e armëve, automatike si dhe çdo armë tjetër, mina dhe lëndë plasëse, pjesë për armë dhe municione që qytetarët mbanin në mënyrë të paligjshme.
Ndërkohë ka bërë thirrje edhe për qytetarët të cilët mbajnë armët, pronari i të cilave ka ndërruar jetë.
“Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje qytetarëve që nuk i kanë dorëzuar armët në stacionet policore për ruajtje pas vdekjes së pronarit, ta bëjnë këtë tani”, thekson Lakiçeviq.
Armët në posedim të paligjshëm mund të dorëzohen çdo ditë, nga ora 07:00 deri në orën 19:00, nga qytetarët gjatë periudhës së caktuar, pa asnjë pasojë./Opinion.al