“Stop” ishte me qytetaren Albana Frankenhauser, e cila tregon, se ka qenë e martuar me një shtetas gjerman dhe pas divorcit ka mbajtur mbiemrin gjerman, pasi jeton në këtë shtet.
Pasi ka bërë njohjen e divorcit në Shqipëri, i kanë kthyer mbiemrin e vajzërisë me pretendimin, se nuk është shprehur Gjykata e Gjermanisë.
“Pasi kam 23 vite që jetoj në Gjermani, kur bëra ndarjen, gjykata nuk e fliste vendimin e mbiemrit sepse ishte ligji i familjes. Kur kam sjellë vendimin e ndarjes në Shqipëri është njohur gjyqi i ndarjes dhe zonja e lagjes në njësinë numër 7 ka shfuqizuar mbiemrin, ka vënë mbiemrin e vajzërisë pa ditur unë se çfarë po ndodh”, tha Albana.
Pas shumë peripecive, Albana e ka çuar çështjen në gjykatë dhe në Tetor 2022 çështja është pushuar, pas komunikimit se ajo do të kalojë në sistem me mbiemrin e huaj.
“Në të njëjtën ditë që do të vinte Gjendja Civile dhe Kryeministria në gjyqin tim, që nuk erdhën, më raportojnë nga gjendja Civile dhe ishte vendosur ndryshimi i mbiemrit në sistem dhe nga e enjtja që ishte gjyqi në të premte u pajisa me pasaportën me mbiemrin e rregullt në shtetin gjerman. Gjendja Civile ka bërë revokim për tërheqje dhe e ka nxjerrë pasaportën jo të rregullt”, u shpreh denoncuesja.
Por në Prill 2023, Albanës i është bllokuar pasaporta, pasi në sistem Gjendja Civile e ka kthyer sërish me mbiemrin e vajzërisë Lila. Sot zonja është bllokuar në Shqipëri.
“Çfarë duhet të bëj unë tani me 3 fëmijët e mi, 2 janë vetëm në Gjermani njëri është 14 vjeç tjetri 18 vjeç. Kam ardhur për 3 ditë për të zgjidhur çështjen me avokatin dhe nuk kam pasaportë të rikthehem. Jam bllokuar zyrtarisht në Shqipëri”, tha Albana.
Më tej ajo shtoi, “Do më personalizonin sikur kam sjellë pasaportë false. Nëna e fëmijëve të mi, çuditërisht me atë mbiemër nuk jam, as në shkolla, nuk kam të drejtë firme, nuk kam të drejtë pune, nuk kam të drejtë të aplikoj në asnjë lloj asistence sociale. As tek doktori nuk mund të personalizohem dot sepse kartën e doktorit jam shtetase shqiptare, paraqes vizën e shtetit gjerman dhe paraqes dhe pasaporta është mjeti i identifikimit tim. Penalizohem për shumë çështje të tjera dhe nuk rivazhdoj dot asnjë gjë”.
Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile është shprehur për “Stop”, se sipas Kodit të Familjes në Republikën e Shqipërisë, zonja duhet të mbajë mbiemrin e vajzërisë pas divorcit.
Ekspertja e të drejtës ndërkombëtare Evelina Çela, kundërshton veprimet e bëra nga drejtoria e Gjendjes Civile, që sipas saj cenojnë të drejtat e njeriut.
Përsa kohë që në vendimin e Gjykatës gjermane nuk është përcaktuar, që zonja do të marrë mbiemrin e vajzërisë, nuk mund të bëhen këto ndryshime nga institucionet e vendit tonë.
“Në kushtet kur jemi kandidatë të BE-së, synojmë të përmirësojmë legjislacionin, nuk mundemi të shprehemi mbi vendimin e një gjykate, ose për një prej pikave të vendimit të gjykatës. Kur nuk është një gjë e tillë e shkruar qartazi nuk mund të marrim vendime që kundërshtojnë vendimin e gjykatës, aq më tepër të fillojmë një sërë procedurash për ndryshimin e mbiemrit. Vetëm në rastin kur e ka përcaktuar gjykata. Që do të thotë, në gjykatën e shtetit gjerman nuk është kërkuar nga personi në fjalë një kërkesë e tillë për ndryshim mbiemri. Kjo do të thotë që mbetet në vazhdimësi mbajtja e atij mbiemri. Ai person duhet të vazhdojë të ketë atë mbiemër sepse në rast të kundërt do të ishte përcaktuar aty, të hiqej mbiemri, të merret mbrapsht mbiemri i vajzërisë. Kjo gjë duhet rishikuar sepse mund të përbëjë shkelje dhe vazhdimësinë e procedurave të tjera sa i përket të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Është një e drejtë e mohuar të themi”, tha Çela./ Tv Klan