Çdo përpjekje e Kinës për të ndryshuar me forcë status quo-në me Tajvanin, mund të prekin pothuajse çdo vend në tokë. Kjo është ajo që paralajmëroi Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken në një intervistë të dhënë së fundmi.
Blinken bëri po ashtu të qartë se vendi i tij nuk kërkon përplasje direkte me Kinën.
Kina e konsideron Tajvanin një provincë të shkëputur dhe është zotuar që ta ribashkojë ishullin demokratik me kontinentin. Synime këto që Perëndimi i ka interpretuar si gjuhë të koduar për një pushtim të mundshëm në të ardhmen.
Frika për realizimin e një skenari të tillë është rritur në mënyrë drastike pas nisjes së pushtimit të Rusisë në Ukrainë, që ka shkaktuar edhe një përkeqësim të marrëdhënieve mes Kinës dhe Perëndimit.
Antony Blinken theksoi se pasojat do të ishin të rënda nëse Kina bën lëvizje të njëanshme kundër Tajvanit.
“E kam dëgjuar këtë bisedë me shumë nga aleatët tanë të NATO-s, po ashtu edhe me partnerët tanë në Azi. Ekziston shqetësimi që mund të krijohet një krizë si rezultat i veprimeve të Kinës në Tajvan, që mund të kishte pasoja për pothuajse çdo vend në tokë,” tha Blinken.