Vendosja e armëve bërthamore ruse në Bjellorusi shihet si një kërcënim për sigurinë europiane.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, nw njw postim në Twitter është shprehur se kjo do të nënkuptonte një “përshkallëzim të papërgjegjshëm dhe një kërcënim për sigurinë evropiane”.
Ai shton se “Bjellorusia ende mund ta ndalojë atë. BE është gati të përgjigjet me sanksione të mëtejshme.”
Më parë, NATO e përshkroi qëndrimin e Rusisë si “të rrezikshëm dhe të papërgjegjshëm” një ditë pasi Vladimir Putin njoftoi vendosjen e armëve bërthamore taktike në Bjellorusi, ndërsa Ukraina bëri thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe i kërkoi Perëndimit dhe Kinës t’i jepnin fund “peng bërthamor” i praktikuar nga Rusia.
“NATO është në gatishmëri të lartë dhe ne po monitorojmë nga afër situatën. Ne nuk kemi parë ndonjë ndryshim në paraqitjen e arsenalit bërthamor të Rusisë që do të na çonte në ndryshimin tonë”, tha një zëdhënës i aleancës Atlantike.
“Referenca e Rusisë për ndarjen bërthamore të NATO-s është plotësisht mashtruese. Aleatët e NATO-s veprojnë në respekt të plotë të angazhimeve të tyre ndërkombëtare. “Rusia ka shkelur sistematikisht angazhimet e veta në kuadër të procesit të kontrollit të armëve, së fundmi duke pezulluar pjesëmarrjen e saj në Traktatin e Ri START,” tha zëdhënësi.
Në Kiev, Ministria e Jashtme e Ukrainës tha në një deklaratë: “Ukraina pret veprime efektive nga Mbretëria e Bashkuar, Kina, Shtetet e Bashkuara dhe Franca për të kundërshtuar shantazhin bërthamor të Kremlinit. Kërkojmë një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për këtë qëllim”.