Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar sot 95-vjetorin e krijimit të Bankës së Shqipërisë.
Banka është një nga institucionet më të rëndësishme të vendit dhe krijimi saj konsiderohet nga Meta “një nga aktet historike shtetformuese më të rëndësishme që i dha vendit monedhën e vet”.
Dy ditë më parë BSH njoftoi shtyrjen e shlyerjes së kredive me tre muaj për të gjithë bizneset dhe individët. Urdhri i saj është i vlefshëm edhe për bankat e nivelit të dytë në kuadër të masave lehtësuese për qytetarët gjatë përballimit të situatës së koronavirusit.
Pikërisht këtë akt presidenti e nënvizon në urimin e tij shpreh mirënjohjen.
“Në situatat e vështira që po kalon vendi, edhe si pasojë e tërmetit të vitit të kaluar apo pandemisë, Banka e Shqipërisë vlerëson të një rëndësie të veçantë mbështetjen për biznesin dhe qytetarët.
Banka e Shqipërisë, përmes ruajtjes së pavarësisë së saj dhe rritjes së profesionalizmit, do jetë gjithmonë garante e stabilitetit financiar, por edhe sovranitetit kombëtar.
Mirënjohje për të gjithë profesionistët të cilët shërbyen, që nga dita e parë e themelimit të saj me dekretin e 15 Marsit 95 vite më parë, e deri në ditët e sotme”, shkruan Presidenti. /Opinion.al