91% e tregut të sigurimit të pronës është e përqendruar në Tiranë

Pothuajse 91% e primeve të sigurimit nga katastrofat natyrore janë të përqendruara në qarkun e Tiranës.

Të dhënat nga raporti i Gjeografisë së Sigurimeve, nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), tregojnë se sigurimi i pronave vazhdon të ketë një shkallë shumë të lartë përqendrimi në kryeqytet, ndërsa pjesa tjetër e vendit ka një mbulim të papërfillshëm kundrejt fatkeqësive natyrore, zjarrit apo dëmtimeve të tjera në pronë.

Vitin e kaluar, primet e sigurimit nga zjarri, forcat e natyrës dhe dëmeve të tjera në pronë arritën vlerën e 2.61 miliardë lekëve ose rreth 26.5 milionë eurove.

Kjo shumë përkthehet në vetëm 11 euro prime sigurimi në vit për frymë ose rreth 35 euro për familje.

Veç diferencave në zhvillimin ekonomik mes Tiranës dhe pjesës tjetër të vendit, përqendrimi i këtij produkti në kryeqytet lidhet shumë edhe me tregun e pasurive të paluajtshme dhe me ecurinë e kredisë bankare.

Ndërgjegjësimi për sigurimin vullnetar të pronës nga fatkeqësitë natyrore është shumë i ulët dhe ky produkt dominohet nga sigurimi, faktikisht i detyrueshëm nga ana e bankave, për pronat që janë lënë si kolateral për kreditë bankare.

Duke qenë se një pjesë e konsiderueshme e blerjeve të pasurive të paluajtshme financohen me kredi dhe duke qenë se tregu i pronave dominohet nga Tirana, edhe primet e sigurimit nga katastrofat janë tejet të përqendruara në Tiranë. Një arsye që e rrit edhe më shumë përqendrimin e primeve në Tiranë është vlera e pronave të siguruara.

Duke qenë se në Tiranë vlera e pronës apo e përgjegjësisë së siguruar është më e lartë, atëherë edhe primet e sigurimit janë në vlera më të mëdha.

I matur si numër kontratash, përqendrimi i këtij produkti në Tiranë është disi më i ulët, me rreth 80% të totalit të kontratave të sigurimit.

Nëse të gjitha policat e sigurimit të pronës do t’i llogarisnim a priori si sigurime banesash, do të rezultonte se në Shqipëri, në rastin më të mirë, janë të siguruara jo më shumë se 5.4% e numrit të përgjithshëm të banesave (duke iu referuar Censit 2023).

Në muajin korrik, qeveria shqiptare riktheu për konsultim publik projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet. Ai përcakton detyrimin për sigurimin e të gjitha banesave në vend, me pak përjashtime (psh. shtëpitë e ndërtuara prej argjile, qerpiçi, kallami apo ndërtesat me vendndodhje të lëvizshme apo të përkohshme).

Skema e sigurimit do të administrohet nga një ent i posaçëm me kapital shtetëror që do të ngrihet për këtë qëllim, Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet.

Shuma e sigurimit do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa primi i sigurimit që do të paguajnë pronarët e banesave do të përcaktohet nga Fondi për tërmetet, pas marrjes së pëlqimit nga ministri përgjegjës për Financat. Për shtresat nevojë, primi i sigurimit do të financohet nga buxheti i shtetit./Monitor




Ju sugjerojmë

Para















TE FUNDIT