9 deputetë të parlamentit të Shqipërisë dalin haptazi në mbështetjte të propozimeve të Ben Blushit për ndryshimet Kushtetuese. Lajmi bëhet i ditur nga deputetja Mimoza Hafizi. Ajo publikon emrat e kolegëve që janë pro ndryshimeve kushtetuese duke theksuar sepse kjo është bërthama, pasi do ketë edhe të tjerë që d’ju bashkohen. Dy janë ndryshime kushtetuese që kërkon ky gruo deputetësh: Zgjedhja e Presidentit me votë dhe thirrja e vendit në referendum me 56 vota në parlament, jo 94 siç është aktualisht. Ajo thotë se këto ndryshime do ti vijnë në ndihmë edhe miratimit të reformës në drejtësi.
Statusi në facebook i Mimoza Hafizit
Kam kënaqësinë që në emrin e një grupi deputetësh, të shpall nismën për dy ndryshime të rëndësishme në Kushtetutën e vendit, përmes një projekligji të firmos deri tani nga 10 deputetë.
1.Me amendamentin e parë kushtetues, ne kërkojmë që Presidentin e Republikës t’ia japim popullit.
Ka të paktën dhjetë vjet diskutimesh, idesh dhe përpjekjesh në politikën shqiptare dhe në opinionin publik për zgjedhjen e Presidentit të Republikës nga populli. Një President i zgjedhur nga populli, dhe jo nga Kuvendi, do të jetë figurë e pavarur nga politika e ditës dhe përfaqësues i unitetit të popullit në ushtrimin e detyrave të tij të rëndësishme kushtetuese. Ne nuk kërkojmë ndryshimin e kompetencave të Presidentit, kërkojmë vetëm ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së tj. Në shumë vende të botës, që nga SHBA e Franca, por edhe Mali i Zi, Turqia, Sllovenia, Serbia, Rumania, Kroacia, Bullgaria, Polonia, Moldavia, Maqedonia, etj., Presidenti i Republikës zgjidhet nga populli.
2.Me amendamentin e dytë kushtetues, ne kërkojmë që popullit t’i bëhet e mundur të ndryshojë Kushtetutën e vendit.
Me Kushtetutën aktuale, këtë të drejtë populli e merr vetëm nëse bëhen bashkë 94 deputetë, ose 2/3 e parlamentit. Por 94 deputetë është e vështirë të bien dakord. Edhe kur bien dakord, preferojnë ta ndryshojnë kushtetutën vetë, pa pyetur popullin, siç ka ndodhur në vitin 2008. Ne kërkojmë që ky numër të ulet në 2/5, pra në 56 deputetë.
Sot diskutohet fort për reformën në drejtësi, por populli shqiptar e ka të pamundur të marrë pjesë në këtë proces. Me ndryshimin që ne propozojmë, popullit shqiptar i lind e drejta që të vendosë vetë për reformën në drejtësi dhe për reforma të tjera të rëndësishme.
Amendamentet i përgatitëm me Arta Daden dhe Ben Blushin, në diskutim me një grup deputetësh të spektrit të gjerë të parlamentit, të cilët po i rendis në vijim. Vazhdojmë kontaktet me shumë deputetë të tjerë dhe me grupet parlamentare, për të siguruar mbështetjen e nevojshme që këto ndryshime në Kushtetutë të miratohen.
Besojmë se këto ndryshime kushtetuese janë të domosdoshme për jetën demokratike të vendit. Prandaj do i kërkojmë opinionit publik dhe të gjithë qytetarëve të ushtrojnë presion mbi deputetët e tyre për ta mbështetur këtë nismë.
Bërthama e parë e deputetëve propozues (sipas rendit alfabetik)
Agron Duka
Arta Dade
Ben Blushi
Dashamir Shehi
Eduard Selami
Luljeta Arapi
Mimoza Hafizi
Nard Ndoka
Tahir Muhedini
Vangjel Dule