Socialistët janë të bindur që shumicën e thjeshtë, pra 71 deputetë, do t’i nxjerrin nga zgjedhjet e 11 Majit.
Madje drejtuesja politike e PS-së në Tiranë, Elisa Spiropali, tha në “Opinion” se dyshemeja e mandateve që lufton PS është 74 deputetë, aq sa edhe ka aktualisht në këtë legjislaturë.
Por Spiropali tha se selia rozë do të marrë më shumë se aq.
“Të gjitha këto falle elektorale nuk tregojnë respekt për publikun. Diskutimi nuk ka qenë fare i tillë, sepse që ne do marrim minimumin për të qeverisur, 71, kjo nuk diskutohet sot as nga më skeptikët, as nga sondazhet më skeptike me ne. Ne besojmë që do marrim një fitore më të madhe dhe më të sigurt dhe më gjithpërfshirëse sesa zgjedhjet e 2021-shit. Nëse kemi marrë 74 mandate, nuk besoj se ka diskutim sot që kjo është dyshemeja. Ne do marrim më shumë se aq”, tha ajo.
Sa i përket Tiranës, Spiropali tha se rezultati do të jetë më i lartë se në 2021-shin.
Ajo tha se PS do të marrë 19 mandate dhe synojnë 20 prej tyre në qarkun e Tiranës.
“Në Qarkun e Tiranës, besoj se do kemi një rezultat më të lartë elektoral se në zgjedhjet e 2021. Nuk mund ta parashikoj ashtu siç bëjnë lehtësisht forcat e reja. Padiskutim nuk biem nën 19 mandate dhe synimi ynë është 20 mandate në Qarkun e Tiranës. Sigurisht dyshemeja është 19 mandate, ne synojmë 20”,tha Spiropali./tvklan