Gjatë një viti, 70% e rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore të identifikuara në Shqipëri janë të mitur.
Të dhënat zyrtare të siguruara nga Tv Klan bëjnë me dije se rastet e regjistruara janë emigrantë të parregullt të kapur në kufi.
Trafikimi i personave vijon të mbetet një fenomen shqetësues jo vetëm për vendet e rajonit si dhe vendet e BE-së, por edhe për Shqipërinë. Për këtë arsye Ministria e Brendshme ka hedhur për konsultim një draft ndryshimesh ligjore për të luftuar këtë fenomen.
Në relacion thuhet se Plani Kombëtar i Veprimit, i propozuar për miratim, identifikon faktorët vendimtarë që qëndrojnë në themel të trafikimit, si dhe grupet më të prekura të shoqërisë, si: fëmijët, vajzat, gratë dhe komunitetet etnike rome e egjiptiane.
Edhe Komisioni Evropian në kuadër të procesit “screening” mbi Kapitullin 24, rekomandon rritjen e përpjekjeve kundër trafikimit, duke u fokusuar veçanërisht në sistemin e mbrojtjes së fëmijëve dhe krijimin e një “track-record” mbi numrin e dënimeve përfundimtare për trafikim të qenieve njerëzore.
Kufiri i gjelbër nga Kapshtica dhe Kakavija mbeten dy nga rrugët më të përdorura nga emigrantët e paligjshëm.