Vdekja e një 60-vjeçari në një lokal në qendër të qytetit të Korçës teksa konsumonte një kafe është bërë shkak që familjarët të hedhin akuza ndaj shërbimit spitalor pasi pretendojnë se, ambulanca ka mbërritur me vonesë në vendin e ngjarjes.
Sipas të dhënave të para, 60-vjeçari Rexhep Zerolli dyshohet se ka pësuar infarkt ndërsa ndodhej me familjarët e tij në një lokal. Familjarët pretendojnë se, kanë pritur mbi 30 minuta për mbërritjen e ambulancës, por pas gjithë asaj kohe ka qenë shumë vonë për 60 vjeçarin. Kunati i viktimës, Andrea Sholla ka treguar shokun e përjetuar nga ngjarja duke kërkuar reagimin e instancave dhe vendosjen para përgjegjësisë të mjekëve. “Ambulanca erdhi thuajse 40 minuta me vonesë. Do bëjmë denoncim jo për të dënuar por për të ndërgjegjësuar bluzat e bardha që janë në shërbim të popullit jo thjesht rrogëtarë. Mjekët janë të papërgjegjshëm dhe pashpirt”, u shpreh ai.
Por nga ana tjetër Spitali i Korçës bën të ditur se pas lajmërimit nga Policia, ambulanca ka mbërritur në vendngjarje brenda 13 minutave. Gjurmimi me sistemin GPS të instaluar brenda autoambulancës “Siç edhe mund të verifikohet fare lehtësisht nga dokumentacioni i shërbimit të urgjencës dhe regjistrimi elektronik i aktivitetit të lëvizjes në terren të autoambulancës “KO 4291 B Urgjenca Korçë”, thirrja nga Policia e Korçës për t’i ardhur në ndihmë personit në nevojë është marrë nga centrali i shërbimit të urgjencës mjekësore në orën 12:50 dhe orari i mbërritjes së autoambulancës te vendndodhja e personit në nevojë shënon kohën 13:03”, thuhet në reagim. /Panorama