Kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov ka njoftuar në rrjetet sociale se ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme pas tragjedisë në diskon Pulse ku 59 persona humbën jetën e shumë të tjerë mbetën të lënduar.
“Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë dhimbjen që ne të gjithë ndjejmë. Ata fëmijë ishin fëmijët tanë. Unë i njihja shumicën prej tyre, i njihja familjet e tyre dhe disa prej tyre ishin miq të familjes. Tronditja dhe thyerja e zemrës që ndjej do të zgjasë gjithë jetën time. Kjo tragjedi e ka lënë në errësirë Koçanin dhe Maqedoninë dhe boshllëku që ka mbetur është i padurueshëm”,-ka shkruar Papazov.
Ai ka theksuar se të gjitha institucionet kompetente duhet të hetojnë përgjegjësinë e të gjithë të përfshirëve në këtë ngjarje.
“Kërkoj nga të gjitha institucionet kompetente që të hetojnë përgjegjësinë e të gjithë të përfshirëve! Dështimi për të vepruar është gjithashtu një përgjegjësi. Të gjitha detajet duhet të hetohen, të gjitha lëshimet duhet të gjenden dhe të gjithë personat që kontribuan në këtë tragjedi duhet të mbajnë përgjegjësi. Unë vihem plotësisht në dispozicion të institucioneve. Edhe pse me ligj nuk kam pasur autoritet të drejtpërdrejtë në këtë rast, jam i përgatitur t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve për gjithçka, si dhe për veprimet e mia personale”,-tha Papazov.