Policia e Lezhës ka arrestuar 38-vjeçarin Simon Gjoka për marrëdhënie seksuale me të mitur.
Uniformat blu njoftuan se shkuan drejt Gjokës sepse rezultoi autor i disa vjedhjeve të bagëtive në një fshat në Lezhë, vjedhje të ndodhura në javën e parë të muajit Shkurt 2025.
Po ashtu ai dyshohet se ka kryer edhe disa vjedhje në fshatra të tjera.
Mirëpo gjatë këqyrjes së celularit të tij, policia zbuloi faktin tronditës se ai ka kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur.
“Po në vijim të veprimeve policia gjatë këqyrjes së celularit të këtij shtetasi zbuloi se 38-vjeçari kishte kryer marrëdhënie seksuale e një të mitur 13-vjeçare (vajzën e një shtetaseje që strehohej në banesën e saj në Lezhë, lidhje miqësore e tij)”, njoftoi policia.
Uniformat blu ndër të tjera sekuestruan edhe dy automjete që shërbenin për transportimin e bagëtive pasi ky person i vidhte në fshatrat e Lezhës.
“Vijon puna për grumbullimin e provave dhe dokumentimin e plotë ligjor të veprave të tjera penale, si dhe për identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm, të cilët mund të kenë ndihmuar në realizimin e vjedhjeve”, njoftoi policia.