Interesi i shqiptarëve për të patur një pension privat në pleqëri është rritur. Sipas raportit të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, tregu i pensioneve private vullnetare arritën në 37,060 anëtarë.
Gjatë tremujorit të parë të vitit, numri i anëtarëve të fondeve është zgjeruar me 1.5%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rritja e numrit të anëtarëve ka arritur në 7.2%.
Numri i individëve që kontribuojnë për një pension privat ngelet në afërsisht 2.7% e numrit të përgjithshëm të të punësuarve në vend, çka tregon një nivel ende shumë të ulët të mbulimit me fonde private të pensioneve.
Vlera e aseteve neto të fondeve të pensionit në fund të muajit Mars, arriti në 5.97 miliardë Lekë, në rritje me 4.7% që nga fillimi i vitit dhe me 22.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Projektligji i ri për fondet private të pensioneve, që pritet të miratohet së shpejti nga Kuvendi i Shqipërisë, synon t’i bëjë investimet për një pension privat në pleqëri më tërheqëse.
Projektligji parashikon rritjen e përjashtimit nga taksat si për kontributet e punëmarrësve, ashtu edhe për ato të punëdhënësve. Aktualisht kufiri maksimal për lehtësitë tatimore mbi kontribut, është vlera më e vogël që del nga krahasimi i shumës 200 mijë Lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.
Sipas projektligjit, kufiri maksimal mujor i përjashtimit tatimor do të rritej deri në nivelin e pagës minimale të miratuar, që aktualisht ka arritur në 40 mijë Lekë në muaj./ Klan News