Këtë të shtunë shënohet 33 vjetori i shoqatës patriotike “Çamëria”. Gjatë një eventi të mbajtur në përkujtim të këtij përvjetori, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi foli për martirët çamë të gjenocidit teksa tha se e shkuara nuk harrohet.
“80 vjet me breza që trupin e kanë në Shqipëri e kokën në Çamëri, Dikush do të thotë shumë vite kanë kaluar dhe me arsye. Do perifrazoj këtu një burrë që para disa ditësh e pyetën në Kosovë për masakrën e Recakut, ku në 15 Janar të vitit 1999 u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të Kosovës. Kur i thanë që kanë kaluar 25 vjet nga kjo masakër e si ndjehesh ai u përgjigj: Masakra nuk Plaket!
E pra gjenocidi nuk harrohet, ta harrojnë ata që mendojnë që ne do të harrojmë e ne do të lodhemi. Përkujtimi i Gjenocidit mbi shqiptarët e Çamërisë është hapësira e betejës sonë kundër harresës, sepse duhet ti kujtojmë te gjithëve që tragjedi të tilla njerëzore të mos përsëriten më. Kujtesa është detyra jone e ketë Shoqata jonë e ka bërë më së miri”, u shpreh Idrizi.
Idrizi theksoi se “Çështja Çame” nuk është e tija personale por e gjithë kombit shqiptar.
“Çështja çame që peshon shumë nuk është çështje e imja, por e gjithë kombit shqiptar për t’u zgjidhur, që të ngeli kjo Shqipëri politike që kemi sot. Miqtë e mi po ju drejtohem kështu, nuk kemi marrë përsipër t’ju sjellim Çamërinë, por bashkë duhet të shkojmë në ato shtëpi që kemi lënë bosh atje”, tha ndër të tjera Idrizi.