Misioni i OSBE/ODIHR për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Shqipëri ende nuk ka publikuar raportin përfundimtar për zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa në raportin paraprak të publikuar para disa ditësh, ODIHR u shpreh se mbi qytetarët ishte ushtruar presion nga partitë politike.
Por, teksa bëhen përgatitjet për hartimin e raportit përfundimtar, Ambasadorja e misionit të ODIHR, Audrey Glover, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me përfaqësuesit e OSBE në Tiranë, të cilët i ka njohur me gjetjet paraprake të vëzhgimit të zgjedhjeve të 30 qershorit.
“Ambasadorja Audrey Glover e Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve njohu sot përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar me gjetjet paraprake të vëzhgimit të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe iu përgjigj pyetjeve të tyre, në një takim të organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e OSBE./ Opinion.al E.Xh.