Këtë te hënë në Kuvendin e Shqipërisë po mbahet sot ceremonia për kujtimin e “25 viteve Kushtetutë”.
Në seancë janë të pranishëm presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, dhe personalitete të larta shtetërore nga vendi dhe vende mike.
Gjatë fjalës së saj kryeparlamentarja Nikolla vuri theksin tek reforma në drejtësi, duke thënë se tashmë miti i të paprekshmëve ka rënë dhe se askush nuk është mbi ligjin.
“Sot nuk ka asnjë dyshim se miti i të paprekshmëve po thyhet dhe kultura e paprekshmërisë po zëvendësohet me parimin askush mbi ligjin dhe askush nën ligjin.
Konsensusi i madh popullor për sistemin e ri të drejtësisë është një frymëzim për Kuvendin dhe një mbështetje e madhe për kushtetutën”, tha Nikolla.
Gjithashtu Nikolla solli në vëmendje rëndësinë e zbatimit Kushtetutës. “Kuvendi nuk do të lejojë që të zgjedhurit të imponojnë vullnetin e tyre mbi të ata që i kanë zgjedhur. Para një dekade u përballëm me një sistem të korrupsionit, që ishte shndërruar në një gjyle të rëndë të antishtetit”, tha Nikolla.