Në emisionin “Pro Business” në Tv Klan, Zak Topuzin, Kryetar i Shoqatës së Hotelerisë dhe Turizmit foli sa i takon zhvillimit të sektorit të turizmit në Shqipëri.
Ai gjithashtu nënvizoi dhe problematikat me të cilat po haset Shqipëria gjatë fluksit turistik.
“2025 do të jetë viti më i suksesshëm i turizmit shqiptar,” deklaron Zak Topuzi, duke theksuar një rritje prej 20-30% në prenotime krahasuar me 2024. Megjithatë, suksesi sjell edhe sfida.
65% e turistëve përqendrohen në Durrës dhe Velipojë, ku mungesa e resortave të mëdhenj është një pengesë.
“Na duhen urgjentisht hotele me kapacitete të gjera për të mbajtur turistët me kërkesa të larta”, thotë Topuzi.
Ndërsa Shqipëria bën hapa për të zgjatur sezonin në 12 muaj, problemet praktike mbeten:
“Transporti publik është kaotik, plazhet janë të zëna nga shezlonet, dhe mbeturinat e pambuluara shkatërrojnë përvojën e turistit”,vazhdon Topuzi.
Ai kërkon reforma urgjente, duke marrë si shembull Greqinë, ku plazhet ndahen 50-50 mes zonave publike dhe private.
Një shqetësim tjetër? Pamjaftueshmëria e punës:
“Na duhen 40,000 punonjës të rinj, por po humbasim fuqinë punëtore për në BE. Po negociojmë me Filipinet, por shërbimi vendës është thelbi i turizmit tonë nuk mund ta zëvendësojmë me të huaj,” thekson ai.
Për të mbyllur, Topuzi sqaron një paradoks: Sipas Eurostat, Shqipëria ofron paketat më të lira në Europë, por disa biznese abuzojnë me çmime të paarsyeshme.
Italianët dhe turistët rajonalë (Kosova, Maqedonia) po e zbulojnë vlerën e Shqipërisë, por suksesi i qëndrueshëm kërkon strategji afatgjata.
“Qeveria ka miratuar planin 2025-2030 për të rritur kapacitetet me 120%. Nëse zgjidhim çështjet e transportit, mjedisit dhe punësimit, do të bëhemi destinacioni kryesor në rajon,”konkludon Topuzi me optimizëm./tvklan