Një vajzë 19 vjeçe është torturuar dhe djegur e gjallë pasi ka refuzuar një propozim për martesë.
Maria Sadaqat nga Pakistani, u sulmua nga një grup personash në shtëpinë e saj, në afërsi të qytetit Murree, raportojnë mediat vendase.
Vajza është dërguar menjëherë në spital në Islamabad, por për shkak të plagëve të marra nuk ka mundur të mbijetojë.
Sipas mjekëve ajo kishte pësuar mbi 85 % djegie në trupin e saj.
“Ajo është torturuar keq dhe është djegur e gjallë. E kemi sjellë në spital në Islamabad, por ka vdekur nga plagët”, ka thënë xhaxhai i Sadaqatit, Abdul Basit.
Gjithashtu ai ka shtuar se mbesa e tij ishte sulmuar nga drejtori i një shkolle, ku ajo kishte punuar më parë, pasi vajza ka refuzuar propozimin për martesë të bërë nga djali i tij.
Sulme të tilla nuk janë të rralla në Pakistan. Sipas BBC, Komisioni i të Drejtave të Njeriut ka gjetur se gati 1,100 gra u vranë vitin e kaluar nga të afërmit pasi mendonin se ato kishin çnderuar familjet e tyre./tvklan.al