Një 18-vjeçar është vënë në pranga në qytetin e Durrësit pasi i vuri flakën derës së banesës së ish-vjehrrit të motrës së tij. Policia bën me dije se është arrestuar M. N., banues në Durrës. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një konflikti të mëparshëm ndërmjet tyre.
Uniformat blu bëjnë me dije se i riu ka rrezikuar edhe jetën e banorëve të pallatit si pasojë e flakëve. Fatmirësisht nuk ka pasur asnjë dëm në njerëz, por vetëm materiale.
Po ashtu, policia ka shpallur në kërkim vëllain e autorit të kësaj ngjarje. Dyshohet se ai ka kanosur përmes telefonit ish-vjehrrin e motrës dhe i ka bërë presion që të mos kallëzojë në polici.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan veshjet e përdorura nga 18-vjeçari gjatë krimit dhe një bidon plastik ku mbahej benzina.