Vetëm 15 ditë nga përfundimi i afatit të vënë nga Kushtetuesja, sot tentativa e 45-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Kuvendi ende nuk është konstituuar, për shkak të bllokadës politike, 5 muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve më 9 shkurt.
Partitë politike kanë ruajtur qëndrimet e tyre të pandryshuara, pavarësisht thirrjeve për reflektim dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Partitë që ishin në opozitë po bëjnë thirrje për konsensus dhe marrëveshje, ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul në votimin e fshehtë dhe kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.
Në dallim nga seancat e mëhershme, në seancat e fundit deputetët e partive tjera po e përdorin minutazhin në foltore për t’i bërë thirrje Vetëvendosjes dhe kryesuesit të seancës, Avni Dehari, që të respektojnë Kushtetutën dhe t’i përmbahen aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Megjithatë, as Vetëvendosje dhe as Dehari nuk kanë reflektuar ndaj këtyre kërkesave. Për më tepër, kryesuesi i seancës është kritikuar për ndërprerjen arbitrare të seancave.
Ndërkohë, afati 30-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit është drejt përfundimit. Ky afat skadon më 26 korrik.

















