Një ngjarje e rëndë është shënuar pas mesnate në fshatin Gjashtë të Sarandës. Një sherr që dyshohet se ka lindur për shkak të një borxhi ka degjeneruar në të shtëna me armë zjarri dhe goditje me grushta e sende të forta.
Policia deri tani ka identifikuar 12 persona të përfshirë në ngjarje, nga të cilet dy kanë mbetur të dëmtuar me sende të forta.
Këta të fundit janë vëllezërit Enea dhe Albi Nexhipi, të cilët kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Sarandës.
Në vendngjarje policia ka gjetur gëzhoja plumbash pistolete si dhe automjete të dëmtuara.
Nga hetimet paraprake dhe pamjet filmike, janë identifikuar disa prej të përfshirëve, mes tyre:
Alvaro Sulejmani, efektiv i Policisë Himarë;
Kidi Sulejmani, efektiv i Policisë Kufitare Sarandë;
Redi Sulejmani, student në Akademinë e Policisë Tiranë;
(Alavro, Kidi dhe Redi Sulejmani, të tre vëllezër)
Ergis Sulejmani, efektiv i Policisë Kufitare Sarandë;
Igli Duka, ish-efektiv i Policisë Sarandë, i njohur për një arrestim në Skoci për kultivim të lëndëve narkotike.
Pjesë e konfliktit janë edhe persona të tjerë nga fiset Sulejmani dhe Duka, si dhe një shtetas me mbiemrin Cocka.
Deri më tani, janë dorëzuar vullnetarisht në Komisariat Alvaro Sulejmani dhe Beqir Cocka, ndërsa është paraqitur edhe Mihal Sulejmani.
Policia po vazhdon hetimet, duke këqyrur kamerat e sigurisë dhe vendin e ngjarjes, ndërkohë që kontrollet vijojnë për kapjen e personave të tjerë të përfshirë.